Grenelli: I zhgënjyer që e gjithë puna e mirë që Trumpi bëri në Ballkan është hedhur poshtë nga Biden-Harris

13:26 | 27 Shtator 2024
grenelli:-i-zhgenjyer-qe-e-gjithe-puna-e-mire-qe-trumpi-beri-ne-ballkan-eshte-hedhur-poshte-nga-biden-harris

Richard Grenell, ish i dërguari i Shtëpisë së Bardhë për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë gjatë administratës së Donald Trump, foli para gazetarëve në Nju-Jork për marrëdhëniet ndërmjet Serbisë dhe ShBA-së.

Ai kritikoi administratën aktuale amerikane, por nuk iu përgjigj pyetjes së “Zërit të Amerikës” (edicioni serbisht) për investimin e Jared Kushnerit në vendin e Shtabit të Përgjithshëm në Beograd, për shkak të ndërhyrjes së zyrës së shtypit të Presidentit të Serbisë.

Ish-zyrtari i administratës Trump tha se “ka një miqësi të sinqertë mes Amerikës dhe Serbisë pavarësisht se kush është në pushtet”.

“Unë flas rregullisht me presidentin Vuçiq dhe i them se duhet të ndahet nga Rusia dhe Kina dhe të afrohet me Perëndimin dhe ShBA-në. Si amerikan, shpesh jap këshilla të tilla dhe nuk përmbahem nga promovimi i vlerave perëndimore. Mendoj se e ardhmja e Serbisë do të jetë gjithmonë me Amerikën, jo me Rusinë dhe Kinën”, thotë Grenell, transmeton Klankosova.tv.

I pyetur nga një gazetar për situatën aktuale në Kosovë, ish-zyrtari i cili është ende aktiv në fushatën e Donald Trumpit, ka kritikuar administratën e Joe Biden.

“Jam shumë i zhgënjyer që e gjithë puna e mirë që Presidenti Trump ka bërë në rajon është hedhur poshtë. Dhe nuk duhet t’ju them juve, apo miqve të mi shqiptarë, se situata është më e keqe nën administratën Biden-Harris. Nuk jam i sigurt që Kamala Harris e di se ku është Ballkani dhe kjo më bën të trishtuar, sepse ajo nuk u fokusua në atë çështje. Nuk ka dyshim se gjërat ishin më mirë nën Trumpin dhe Shtëpia e Bardhë duhet fajësuar për këtë”, tha Grenell.

“Zëri i Amerikës” thotë se nuk është e qartë se mbi çfarë baze pretendon ai se kandidatja demokrate “nuk e di se ku është Ballkani”.

Këto komente, Grenelli i bëri në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, ku u mbajt një pritje “Serbia Beyond Future”. /Klankosova.tv

Komento: