“Greqia lidere e rajonit”, Kurti i bën një rekapitulim takimeve në kuadër të Forumit të Delfit

11:14 | 10 Prill 2022

Kryeministri Kurti të dielen në mëngjes ka shkruar për takimet që ka mbajtur në Greqi në kuadër të Forumit Ekonomik të Delfit. Një ditë pasi kërkoi njohjen e Greqisë gjatë një bisede me gazetaren e “Politico Europe” ku Athinën e quajti lidere të rajonit, të shtunën Kurti pati takim edhe me Kryeministrin grek dhe homologët e Ballkanit. Të dielën ai i bëri një rekapitulim të qëndrimit treditesh në shtetin helen.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, me anë të një postimi në Facebook ka treguar për temat që janë diskutuar dhe takimet që i ka zhvilluar në kuadër të Forumit Ekonomik në Delfi të Greqisë.

Në mesin e disa takimeve të zhvilluara, Kurti tregon se është takuar edhe me të dërguarin e posaçëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

“Escobar ma rikonfirmoi në takim mbështetjen e ShBA-së për Kosovën, sovranitetin e integritetin e saj territorial dhe për aspiratat për integrime evropiane dhe euroatlantike”, shprehet Kurti ndër të tjera.

Në përmbyllje të Forumit Kurti thotë se ka marrë pjesë në drekën e shtruar nga Kryeministri i Greqisë bashkë me homologët e Ballkanit, ku shpalosë detaje se çka u diskutua.

“Biseduam për situatën në Ukrainë dhe për solidarizimin e mbështetjen për luftën çlirimtare të popullit ukrainas. Theksova që duhet të jemi syhapur karshi lidhjeve të gjera dhe të thella të Federatës Ruse dhe Serbisë dhe rrezikun që paraqesin për destabilizimin e rajonit. Për paqen dhe stabilitetin afatgjatë është i domosdoshëm integrimi sa më i shpejtë dhe i plotë i Ballkanit Perëndimor në strukturat e Bashkimit Evropian dhe të NATO-s”, thekson ai.

Postimi i plotë:

Siguria në Evropë dhe në rajon pas invazionit dhe agresionit të Federatës Ruse në Ukrainë, si dhe intensifikimi i bashkëpunimit ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor, mbizotëruan temat e takimeve që pata gjatë tri ditëve të Forumit Ekonomik, në qytetin antik Delfi, në Greqi.

Në ditën e parë të Forumit u takova me Kryetarin e Presidencës së Bosnje e Hercegovinës, z.Shefik Xhaferoviq, me të cilin biseduam mbi mundësitë e forcimit dhe përparimit të bashkëpunimit ndërmjet vendeve tona, përkundër pengesave politike.

Me Kryeshefin Ekzekutiv të Forumit Ndërkombëtar të Fondeve Sovrane të Pasurisë (IFSWF), z.Duncan Bonfield diskutuam për Fondin Sovran të Republikës së Kosovës dhe mënyrat se si IFSWF mund të na ndihmojë me dijen dhe përvojën e tyre.

Në ditën e dytë takova Përfaqësuesin Special të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi dhe çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor, z.Miroslav Lajçak, me të cilin biseduam për mbarëvajtjen e procesit të dialogut dhe hapat e ardhshëm në këtë proces.

Zëvendësndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit për Çështje të Evropës dhe Euroazisë, njëherit i dërguar i posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, z.Gabriel Escobar ma rikonfirmoi në takim mbështetjen e ShBA-së për Kosovën, sovranitetin e integritetin e saj territorial dhe për aspiratat për integrime evropiane dhe euroatlantike.

Me Kryeshefin Ekzekutiv të Copelouzos Group, z.Christos Copelouzos folëm për mundësitë që Kosova ofron për investime, me fokus te burimet e ripërtëritshme të energjisë.

Në takimet e ndara me Kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, z.Dimitar Kovaçevski, Kryeministrin e Bullgarisë, z.Kiril Petkov dhe me ministrin e Punëve të Jashtme të Greqisë, z.Nikos Dendias, diskutuam për avancimin e marrëdhënieve bilaterale dhe thellimin e bashkëpunimit ekonomik e tregtar mes vendeve tona.

Në përmbyllje të Forumit mora pjesë në drekën e shtruar nga Kryeministri i Greqisë, z.Kyriakos Mitsotakis, së bashku me Kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, z.Dimitar Kovaçevski, Kryeministrin në detyrë të Malit të Zi, z.Zdravko Krivokapiq, Kryetarin e Qeverisë së Bosnje Hercegovinës, z.Zoran Tegeltija dhe Kryeministrin e Bullgarisë, z.Kiril Petkov.

Gjatë drekës diskutuam për rëndësinë e luftimit të korrupsionit, demokratizimin e rajonit dhe integrimin evropian, si shtylla të domosdoshme për paqe e prosperitet në Ballkan.

Biseduam për situatën në Ukrainë dhe për solidarizimin e mbështetjen për luftën çlirimtare të popullit ukrainas. Theksova që duhet të jemi syhapur karshi lidhjeve të gjera dhe të thella të Federatës Ruse dhe Serbisë dhe rrezikun që paraqesin për destabilizimin e rajonit. Për paqen dhe stabilitetin afatgjatë është i domosdoshëm integrimi sa më i shpejtë dhe i plotë i Ballkanit Perëndimor në strukturat e Bashkimit Evropian dhe të NATO-s.
Bashkë me mua nē Forumin Ekonomik të Delfit ishin edhe Zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre e Punëve të Jashtme e Diasporës, znj.Donika Gërvalla, zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, z. Kreshnik Ahmeti, zëvendësministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, znj. Liza Gashi dhe udhëheqësi i Zyres së Interesave të Kosovës në Athinë, z. Fitim Gllareva.

Komento: