Diplomati grek paralajmëron se Greqia mund ta njohë Kosovën.
Diplomati grek, Alexandros Mallias, në një opinion të publikuar në gazetën prestigjioze greke “Kathimerini” ka folur për zhvillimet në Ballkanin Perëndimor dhe gjithashtu edhe raportet në mes të Greqisë dhe Republikës së Kosovës.
Mallias i cili ka shërbyer edhe si ambasador i Greqisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka thënë se intensifikimi i raporteve në mes të Prishtinës dhe Athinës dhe rruga që po ndjek kryeidplomati grek, Nikos Dendias, mbase në fund do të finalizohen me njohje.
“Ministri i Punëve të Jashtme, z. Dendias, filloi një dialog të nivelit të lartë midis Greqisë dhe Republikës së Kosovës. Në fund të rrugës ndoshta do të ketë njohje”, ka shkruar Mallias.
Ai në këtë opinion të tij thotë se një zhvillim i tillë do ta afronte Greqinë me faktorin shqiptar dhe që sigurisht do të lëkundte primatin e Turqisë.
Kohëve të fundit është diskutuar shumë për punën e njohjes së Kosovës nga Greqia. Një gjë e tillë ka nxitur edhe reagime të ashpëra nga Beogradi, të cilët janë lutur shtetit grek që të mos e ndërmarr një hap të tillë.