Greva në arsim, SBAShK-u nuk e ka ndërmend të heq dorë

19:52 | 11 January 2019

Nga data 14 janar do të fillojë greva në arsim.

Edhe pas deklaratës së kryeministrit Ramush Haradinaj se do të mundohen të plotësojnë kërkesat e Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, këta të fundit, paralajmërojnë se nuk do të heqin dorë nga greva e paraparë të nis më datën 14 janar.

Kjo sipas tyre do të ndodhë derisa të ngritën për 30 për qind të gjithë koeficientet në arsim nga çerdhet e deri tek universitetet.

Në një intervistë për RTV21, Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Rrahman Jasharaj, ka thënë se greva do të filloj me 14 janar.

“Ne i besojmë kryeministrit Haradinaj por nuk mjafton vetëm angazhimi i tij pasi duhet të angazhohet të gjitha institucionet. Këshilli drejtues dje e bëri rrjedhën e grevës dhe është paraparë që në të gjitha institucionet arsimore, në çerdhe, arsimin fillor, të mesëm dhe universitet, greva çdo ditë të filloj në ora 9 dhe të mbyllet në ora 12”, ka thënë Jasharaj.

Ai ka thënë se ky vendim është marrë pas një pritje disa mujore pas debateve, dialogut i cili sipas tij doli i pa suksesshëm.

Jasharaj ka shtuar se kërkesë e SHBASHK’ut është që të gjithë koeficientet, nga çerdhet arsimi fillor i mesëm dhe në universitet, sidomos te administrata e universitetit të ngritën për 30 %.

Këshilli i prindërve të nxënësve ka kundërshtuar grevën e paralajmëruar në arsim me arsyetimin se me grevë të mësimdhënësve po pësojnë nxënësit.

Komento: