Gripi sezonal ‘pushton’ kosovarët, afro 10 mijë raste për dy muaj

20:01 | 09 Dhjetor 2021

IKSHPK-ja apelon qytetarët për kujdes: Afro 10 mijë raste për dy muaj me grip sezonal.

Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik ka kërkuar nga qytetarët që të kenë kujdes, pasi gripi sezonal ka shtuar intensitetin. Që nga 1 tetori i këtij vitit e deri më 9 dhjetor, në IKSHP janë raportuar mbi 9 mijë e 780 raste të këtij gripi.

Përmes një shkrimi në Facebook, IKSHPK ka apeluar të gjithë drejtorët komunal të Shëndetësisë që ta ngrisin nivelin e vigjilencës dhe të raportimit të rasteve të dyshimta në të gjitha institucionet shëndetësore publike dhe private në Kosovë.

IKSHPK ka kërkuar që të vaksinohen të gjithē personat e moshuar, personat me sëmundje kronike dhe personat me imunitet të dobësuar.

“Zyrtarët e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë së Kosovës tërheqin vërejtjen se virusi A bën pjesë në grupin e viruseve të gripit të zakonshëm sezonal, por rekomandohet vaksinimi për të gjithē personat e moshuar, personat me sëmundje kronike dhe personat me imunitet të dobësuar”, thuhet në njoftimin e IKSHPK-së.

IKSHPK ka treguar si të mbroni veten dhe të tjerët:

Mbuloni gojën dhe hundën me maskë!

Nëse keni shenja të gripit, kërkoni menjëherë ndihmë mjekësore!

Të redukohet numri i vizitave të familjarve tek personat e hospitalizuar (SHSKUK, Spitalet rajonale).

Të evitohen vendet e mbyllura dhe të mbingarkuara me njerëz!

Nëse keni shenja të gripit mbani distancë të paktën 1 metër prej njerëzve!

Mbuloni hundën dhe gojën me faculetë në rast të kollës apo teshtitjes!

Hidhni faculetën menjëherë pas përdorimit në shportën e mbeturinave!

Shmangni prekjen e syve hundës apo gojës me duar të pa pastruara!

Nëse keni shenja të gripit, mos shkoni në punë, shkollë apo vende me shumë njerëz, por qëndroni në shtëpi!

Shmangni përqafimin, puthjen dhe shtrëngimin e duarve kur përshëndeteni!

Pastroni rregullisht duart me ujë dhe sapun dhe dezinfektoni ambientin ku qëndroni!

Ushqehuni shëndetshëm duke përdorë më shumë vitamina dhe bëni aktivitet fizik.

Komento: