Grupi Parlamentar i PDK-së, ka bërë të ditur se nuk do të marr pjesë në seancën e thirrur për adresimin vjetor të presidentes Vjosa Osmani.
“Grupi Parlamentar i PDK-së refuzon edhe këtë vit pjesëmarrjen në seancën e thirrur për adresimin vjetor të presidentes Vjosa Osmani, ngase e njëjta ka vazhduar të sillet me mospërmbushje shqetësuese të rolit dhe funksionit të saj kushtetues”, thuhet në njoftimin e PDK-së, transmeton Klankosova.tv.
“Znj. Osmani si presidente duke qenë njëkohësisht edhe udhëheqëse e politikës së jashtme ka dështuar përfundimisht në realizimin e ndonjë suksesi të vetëm në përfaqësimin dhe bashkëpunimin ndërkombëtar të Kosovës. Si presidente, nuk ka arritur që Kosovës t’i siguroj qoftë edhe një njohje të vetme, siç ka dështuar në fushën e antarësimit të vendit në ndonjë organizatë ndërkombëtare”.
Tutje Grupi Parlamentar i PDK-së shton se Osmani si presidente ka vazhduar të qëndrojë e heshtur ndaj masave dhe sanksioneve që BE i ka vënë Kosovës si rezultat i qasjes destruktive të qeverisë dhe në asnjë rast të vetëm nuk është sjellë dhe nuk ka vepruar si kundër-balancuese e politikave të gabuara të qeverisë të cilat vendin e kanë ekspozuar përballë izolimit ndërkombëtar.
“Znj. Osmani edhe në vitin e katërt të mandatit të saj, ka vazhduar të sillet në shpërputhje të plotë me rolin e saj kushtetues për të përfaqësuar unitetin e popullit duke demonstruar njëanshmëri ndaj Albin Kurtit. Ndërkaq, edhe si Komandante Supreme e Forcës së Sigurisë së Kosovës ka heshtur përballë skandalit të pashembullt të dështimit të sigurimit të ushqimit për ushtrinë tonë”.
“Nga ana tjetër, ka vazhduar të hesht edhe përballë aferave të vazhdueshme korruptive të qeverisë, siç nuk e ka marrë asnjë edhe një masë për shkarkimin e protagonistit të aferës së energjisë, ambasadorit Martin Berishaj, vendimi për emërimin e të cilit e mban vulën e saj. Për më keq, ka vazhduar ta mbroj ambasadorin Berishaj dhe çdo skandal tjetër që ka ndodhur gjatë këtij viti. Edhe këtë vit, jo vetëm që i ka mbyllur sytë përballë skandaleve dhe aferave korruptive të kësaj qeverie, por i është bashkuar fushatës qeveritare për të sulmuar institucionet e pavarura të drejtësisë dhe në rastin më të keq ka vazhduar shkeljen e saj kushtetuese për mosdekretimin e Kryeprokurorit të Shtetit. Praktikisht në vend se të mbështeste në mënyrë institucionale pavarësinë dhe integritetin e institucioneve të drejtësisë, ajo ka penguar punën e tyre, duke penguar kështu edhe luftën kundër korrupsionit dhe dukurive negative”, thuhet tutje në njoftimin e PDK-së.
Tashmë kur janë mbushur gati katër vite të mandatit të saj si presidente, PDK thotë se presidentja ka dështuar për të lënë një gjurmë të vetme të suksesshme për Kosovën, ndërsa roli i saj tërësisht i pavërejtshëm është kthyer në një faktor të dëmshëm për shtetin e Kosovës dhe qytetarët e saj.
“Fatkeqësisht, kontributi i vetëm i saj në këto katër vite është zbehja e rolit dhe rëndësisë së institucionit të Presidentit si dhe promovimi i gjuhës polarizuese dhe përçarëse në skenën politike. Një presidente e tillë e cila e redukton pozitën e Institucionit të Presidentit si një mekanizëm për akomodimin e interesave familjare dhe partiake nuk e meriton respektin e Grupit Parlamentar të PDK-së”.