Guardiola godet Arsenalin: S’kam respekt për ta.
Trajneri i Manchester Cityt, Pep Guardiola, e goditi Arsenalin duke thënë se ai ka respekt për skuadrën në fushën e lojës, mirëpo jo për klubin jashtë fushës së blertë.
Ish-ndihmësi i Pep Guardiolës, Mikel Arteta – tani trajner i Arsenalit – e mposhti Manchester Cityn me rezultat 2:0 në gjysmëfinale të FA Cup të shtunën, kur Manchester City e pësoi disfatën e parë në kupë pas më shumë se dy vjetëve e gjysmë, transmeton Gazeta Express.
Guardiola ia kishte uruar Topçinjve fitoren dhe suksesin në fushën e lojës, pasi e kishte pranuar se skuadra e tij nuk kishte bërë paraqitje mjaftueshëm të mirë gjatë pjesës së parë të ndeshjes.
Tani, trajneri spanjoll ka thënë se ai nuk ka respekt për rivalin e tij si klub, jashtë fushës së lojës.
“Pasi u mposhtëm, ia shtrënguam duart njëri-tjetrit. Kundërshtarët e meritojnë respektin tim, gjithmonë. Për Arsenalin kam shumë respekt për atë që ata janë në fushën e lojës, mirëpo jo jashtë saj”, ka thënë Guardiola.
“Urime atyre dhe u uroj fat të mirë në finale”.
Mediumet angleze pretendojnë se Guardiola e tha këtë shkaku se Arsenali ishte njëri ndër klubet e Premierligës që i kishte shkruar Gjykatës së Arbitrazhit Sportiv (CAS) për të mos ia shfuqizuar Manchester Cityt dënimin nga UEFA.