Trajneri i Manchester City, Pep Guardiola ka treguar për herë të parë se ka ëndërruar të jetë pjesë e Juventusii.
Ai ka zbuluar se kishte ëndërruar të luante përkrah Zinedine Zidane në Juventus.
Guardiola e kaloi shumicën e karrierës së futbollit në Barcelonë dhe e drejtoi këtë skuadër edhe si trajner nga 2008 deri më 2012, duke e bërë të pamundur kalimin në Real Madrid, transmeton Express.
Megjithatë, spanjolli e pranon se dëshira e tij ka qenë të luante me Zidanin në mesfushën e Juves në vitet e 1990-ta.
“Nuk ka ndodhur kurrë, por kam ëndërruar të luaja me Zidanin. Kam dashur të luaja për Juventusin me të. Kam përshtypje se ai është person i jashtëzakonshëm, për mënyrën sesi e përballon presionin”, tha Guardiola.
“E adhuroj atë dhe është shumë mirë që kemi njerëz të tillë. Do të jetë kënaqësi ta takoj sërish”, shtoi ai.
Manchester City i Guardiolës do të përballet me Real Madridin e Zinedine Zidane në 1/8 e finales në Ligën e Kampionëve në fillim të vitit.