Chelsea ka mposhtur Manchester Cityn mbrëmë me rezultat 2:0.
Kjo është njëherësh humbja e parë e Manchester Cityt këtë sezon.
Trajneri i Manchester Cityt, Pep Guardiola, ka bërë se ai nuk është zhgënjyer nga disfata e mbrëmshme kundër Chelseat, pasi që synimi i tij për këtë sezon ishte të bëhet kampion dhe jo ta ketë një skuadër të pamposhtur.
Skuadra e Sarrit ia shkaktoi Manchester Cityt disfatën e parë këtë sezon, përmes dy golave të shënuar nga N’Golo Kante dhe David Luiz. Kjo disfatë bëri që City të bie në pozitën e dytë në tabelën e Premierligës, transmeton Express.
Mirëpo, në konferencën për shtyp pas kësaj ndeshje, Guardiola insistoi se ai nuk synonte ta ketë një skuadër të pamposhtur këtë sezon, por kërkon që skuadra e tij të kthehet përsëri në kreun e tabelës së Premierligës.
“Të gjithë më pyesin mua për këtë gjë, unë thashë se kjo nuk kishte për të ndodhur. Nuk jemi këtu për të qenë të pamposhtur, jemi këtu për t’u bërë kampionë. Nuk ka rëndësi”, ka thënë Guardiola.
“Ne duam ta arrijmë një pikë më shumë se kundërshtarët tanë. Tani, në këtë moment, Liverpooli është më i mirë se ne. Jemi në dhjetor, nëse më pyesni se a mundet Liverpooli ta fitojë titullin e Premierligës, unë do të thosha po”.
“Nëse më pyesni nëse Tottenhami, Arsenali ose Chelsea mund ta fitojnë titullin e Premierligës, unë do të thosha po. Nuk ka asnjë sport në botë ku vetëm një skuadër ose vetëm një lojtar fiton gjithçka”, ka thënë ai.