Gucati dhe Haradinaj sot para Speciales

09:03 | 18 Dhjetor 2020

Pas konfirmimit të aktakuzave, Gucati dhe Haradinaj sot para Speciales.

Kryetari dhe nënkryetari i Organizatës së Veteranëve të UÇK-së, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj, do të paraqiten sot para Gjykatës Speciale.

Ata do të kenë paraqitje të ndara derisa kjo është seanca e parë pas konfirmimit të aktakuzave të tyre. Nasim Haradinaj do të paraqitet me fillim nga ora 11:00, derisa Gucati nga ora 14:00.

Më 11 dhjetor 2020, gjykatësi i Procedurës Paraprake i Dhomave të Specializuara të Kosovës e ka konfirmuar aktakuzën, e parashtruar më 30 tetor nga Prokurori i Specializuar kundër Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinajt.

Gucati dhe Haradinaj akuzohen për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, për frikësim të dëshmitarëve, për hakmarrje dhe për shkelje të fshehtësisë së procedurës.

“Akuzat e paraqitura në aktakuzën e konfirmuar mbështeten në dyshimin e bazuar mirë se së paku midis 7 dhe 25 shtatorit 2020, z. Gucati dhe z. Haradinaj zbuluan pa autorizim informacion të mbrojtur prej Ligjit të Dhomave të Specializuara, ndër të cilat të dhëna identifikuese të disa dëshmitarëve (të mundshëm), në tre konferenca shtypi dhe aktivitete të tjera të transmetuara, si edhe përmes shpërndarjes së mëtejshme ku përfshihen deklaratat në rrjetet sociale”.

“Z. Gucati dhe z. Haradinaj bënë akuza dhe komente nënçmuese kundër dëshmitarëve (të mundshëm) dhe në mënyrë të përsëritur shprehen synimin e tyre për të dëmtuar punën e Dhomave të Specializuara. Me këto veprime, z. Gucati dhe z. Haradinaj shkelën fshehtësinë e procedurës dhe frikësuan dëshmitarë (të mundshëm) të Zyrës së Prokurorit të Specializuar dhe si pasojë penguan punën dhe hetimet e ZPS-së”, thuhet në njoftimin e Dhomave të Specializuara.

Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj janë arrestuar si të dyshuar më 25 shtator nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, me mbështetjen e EULEX-it dhe Policisë së Kosovës.

Paraqitja e parë e Nasim Haradinajt si i dyshuar u mbajt më 29 shtator, derisa paraqitja e parë e Hysni Gucati si i dyshuar u mbajt më 1 tetor.

Komento: