
ryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati e ka quajtur çmenduri kërkesën e Prokurorisë për dënim me 45 vjet burgim katërshen e UÇK-së.
“Kjo është çmenduria e shekullit 21, çfarë ka kërkuar Prokuroria e Gjykatës Speciale 180 vjet burgim për krerët e UÇK-së, për katër kolegët tonë apo ish-presidentin apo te tjerët. Prokuroria nuk po mund të gjej fakte, argumente dhe tash ajo merret me 45 vjet dhe mendoj qe kjo prokurori nuk e meriton të jete ku është sot. Sepse kjo drejtësi nuk është. Unë kam frikën se kjo të mos jete drejtësi politike sepse nëse është politike e kemi përvojën ne shqiptarët e kemi përvojën e keqe nga gjykatat politike ne ish-Jugosllavi dhe në ish Serbi. Shpresoj qe të jetë drejtësi ashtu si duhet të ndahet por dua të besoj që këta prokurorë kanë dështuar fare krejt”, tha ai.
Gucati pret nga trupi gjykues që të mos marrë për bazë pretendimet e ZPS-së dhe të shpall të pafajshëm Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin e Rexhep Selimin.
“Unë besoj dhe dua të besoj fuqishëm se trupi gjykues nuk do t’i merr asnjë për bazë deklaratat e prokurorisë. Se të gjitha këto deklarata apo të gjitha këto akuza të saj kanë qenë e fabrikuar dhe e montuar nga njerëz të cilët e kanë trupin në Kosovë dhe kokën e kanë në Serbi. Dhe unë shpresoj se mbrojtja ka qenë shumë e fortë dhe gjyqtarët do të anojnë nga drejtësia, jo nga ana e kundërt e prokurorëve. Dhe kjo mua më lë përshtypje të madhe se kjo prokurori ka dështuar total, duke parë arsyet e saj të cilat i ka jep që e lidh Adem Jasharin, pse u taku Adem Jashari me Hashim Thaçin, me Kadri Veselin, me Selimin, me bacën Jakub, me Rexhën dhe të tjerët. Do të thotë merret edhe me Adem Jasharin, ai ka vdekur, ka rënë dëshmor që 28 vite me familje komplet, 56 anëtarë që janë vrarë dhe këta merren me Adem Jasharin, do të thotë se ne s’paskemi pasur të drejtë ta çlirojmë vendin tonë nga hordhitë”, tha ai./KosovaPress