Ambasadori i Francës në Kosovë, Olivier Guerot, ka përsëritur edhe një herë kërkesën që Kosova të dërgojë Draftin e Asociacionit në Gjykatë Kushtetuese.
Guerot ka thënë e Kosova s’duhet të ketë frikë nga një veprim i tillë dhe ka theksuar se kjo kërkesë po i vjen nga një shtet si Franca dhe aleatët e tjerë që kanë qenë vendimtarë për çlirimin e Kosovës.
“Është opsioni më i mirë dhe i vetmi opsion në tavolinë. Kështu që mendoj se i vetmi organ që mund të vendosë se në çfarë mase propozimi ynë është në përputhje me Kushtetutën është Gjykata Kushtetuese. Ne inkurajojmë fuqimisht autoritetet e Kosovës që vërtet ta dërgojnë këtë dokument në Gjykatën Kushtetuese…Draft statuti i propozuar nga BE-ja, mendoj se e konsiderojmë plotësisht të pajtueshëm me Kushtetutën. Testi më i mirë siç thashë është dërgimi në gjykatë, që është i vetmi organ që mund të tregojë se deri në çfarë mase është në përputhje me Kushtetutën”, ka deklaruar Guerot.
“Unë mendoj se do të ishte një tregues i shkëlqyer realiteti që do t’i përgjigjej të gjitha frikërave që mund të jenë. Ne kemi qenë vendimtarë, kemi qenë vendimtar për të ndihmuar Kosovën në ’99, në njohjen e Kosovës në vitin 2008, dhe mbështetja jonë për një Kosovë të pavarur dhe sovrane nuk ka ndryshuar fare, ajo është ende aty aq e fortë sa kurrë më parë. Pra, nuk duhet të ketë frikë nga ndonjë veprim nga ana jonë që do të kishte ndikim të dëmshëm në Kosovë. Jemi të bindur se draft statuti i propozuar nga BE-ja, për asociacionin, ndihmon dhe jemi të bindur që duhet të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese”, ka thënë Guerot për Kosovapress.