Guvernatori i BQK-së: Nuk kemi shifra sa para false qarkullojnë në Kosovë, as nuk mund t’i dimë

16:49 | 30 Dhjetor 2023
guvernatori-i-bqk-se:-nuk-kemi-shifra-sa-para-false-qarkullojne-ne-kosove,-as-nuk-mund-t’i-dime


Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), Ahmet Ismaili për Front Online ka deklaruar se ky fenomen nuk është vetëm në këtë vit.

Sipas tij, kjo është përpjekje e vazhdueshme e grupeve kriminale të cilët mundohen të gjejnë zona në të cilat mund të operojnë.

Por, thotë se nuk kanë shifra se sa është numri i parave false që janë duke qarkulluar në Kosovë.

Madje, sipas tij një gjë e tillë as nuk mund të dihet.

“Në të vërtetë nuk ka shifër të tillë. Ne nuk e kemi, por edhe nuk mund të ketë sepse ajo qarkullon në mënyrë ilegale do të thotë nuk është e evidentuar. Pra, po e them edhe njëherë nuk ekziston një shifër e tillë dhe nuk as se si me kërkua por që nga niveli i raportimeve edhe kapjeve po duket që ka qenë e madhe”, është shprehur Ismaili për Front Online.

Ndërsa, deklaron se zgjidhja më e mirë që të evitohet ky problem është që të mos paguhet me para kesh.

“Zgjidhja më e mirë është sa ma pak të përdoret keshi dhe ky është mjet i ligjshëm i pagesës”, ka thënë ai.

Por, ajo që guvernatori Ismaili thotë se e ka befasuar në këtë çështje është lloj-llojshëmria e parave false.

“Policia dhe Agjencia e Forenzikës kanë të dhëna sa raste janë raportuar dhe llojesh. Por, ajo që më ka befasuar mua ka qenë lloj-llojshmëria dhe kjo tregon se bëhet fjalë për një grup mirë të organizuar. Shtrirja e këtij grupi dhe këtij fenomeni nuk është vetëm në Kosovë”, ka shtuar Ismaili.

Guvernatori Ismaili ka treguar se edhe çfarë janë duke bërë në këtë drejtim që sado pak ky fenomen mos të jetë kaq i pranishëm në vend.

“Jemi duke bërë çmos brenda mandatit tonë që t’i shtyjmë institucionet tjera që ky fenomen të luftohet, por ne duhet me dit që kjo është luftë e përhershme dhe sot është monedha më e falsfikuara dy euroshi, nesër munden me qenë valuta të tjera kështu që aftësia jonë si shtet me mekanizmat e tjerë është mjaftë e nevojshme që të avancohet më tutje”, ka pohuar ai.

Kurse, ka treguar që të mërkurën kanë miratuar edhe një rregullore për këtë çështje.

“Ne kemi miratuar të mërkurën një rregullore e cila është pjesërisht në frymën e kësaj që po flas. Kjo rregullore e cila hyn në fuqi nga 1 shkurti parasheh edhe kufizimin për mënyrën e importimit kush mund të importojë, në çfarë cilësie mund të importojë para dhe në këtë mënyrë mendojmë se do të kontribuojmë në krijimin e një baze edhe të qarkullimit të sasisë së parave në qarkullim përfshirë edhe monedhat, por kjo assesi për ato që hyjnë në mënyrë ilegale”, ka shtuar guvernatori Ismaili për Front Online.

Komento: