Guvernatori Ismaili takoi të ngarkuarin me punë të Ambasadës së Japonisë në Kosovë, Hiroyasu Tanigaki

11:56 | 14 Janar 2026
Guvernatori Ismaili takoi të ngarkuarin me punë të Ambasadës së Japonisë në Kosovë, Hiroyasu Tanigaki

Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), Ahmet Ismaili, me bashkëpunëtorët e tij, priti në takim të ngarkuarin me punë të Ambasadës së Japonisë në Kosovë, Hiroyasu Tanigaki.

Gjatë diskutimit, Guvernatori Ismaili e njoftoi Tanigaki për zhvillimet kryesore dhe reformat në sektorin financiar, avancimin e kornizës ligjore dhe rregullative, duke theksuar stabilitetin dhe performancën e mirë të sektorit financiar. U veçuan nismat ligjore në sektorin financiar dhe aktivitetet që lidhen me gjithëpërfshirjen financiare dhe qasjen në financa dhe edukimi financiar.

Në hyrje të takimit, Guvernatori Ismaili e informoi të ngarkuarin me punë të Ambasadës së Japonisë në Kosovë mbi organizimin, funksionimin dhe fushëveprimin e BQK-së si institucion i pavarur kushtetues, kapacitetet institucionale, si dhe bashkëpunimin e shkëlqyer me institucionet financiare ndërkombëtare, bankat qendrore dhe autoritetet rregullatore e mbikëqyrëse të rajonit dhe vendeve evropiane. Me tej, ai informoi atë lidhur me ambientin e përshtatshëm të investimeve në sektorin financiar, si dhe sektorët tjerë atraktiv të vendit.

Më pas, ai e përditësoi z. Tanigaki me arritjet kryesore të Kosovës në vitet e fundit si dhe avancimin në integrimin financiar përmes iniciativës për anëtarësim në SEPA dhe projektit për pagesat e shpejta (TIPS Clone), të cilat përveç kontributit direkt në ekonominë e vendit, afrojnë vendin më pranë infrastrukturës financiare evropiane.

Guvernatori Ismaili shprehu mirënjohjen e BQK-së për institucionet e Japonisë, të cilat vazhdojnë të mbështesin institucionet tona, me theks atyre për forcimin e sistemit financiar të Republikës së Kosovës si dhe integrimeve financiare evropiane.

Në përfundim, palët rikonfirmuan përkushtimin për të thelluar bashkëpunimin në mbështetje të avancimit të kornizës drejt standardeve më të larta si dhe të procesit të integrimit të Kosovës në mekanizmat relevantë ndërkombëtar.

Komento: