Guvernatori Ismaili takon Drejtoren Ekzekutive të Konstituencës së BB-së – diskutohet për zhvillimin në sektorin financiar

15:15 | 16 Prill 2026
guvernatori-ismaili-takon-drejtoren-ekzekutive-te-konstituences-se-bb-se-–-diskutohet-per-zhvillimin-ne-sektorin-financiar

Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), Ahmet Ismaili, i shoqëruar nga Anëtarja Joekzekutive e Bordit, Latifi-Jashari, zhvilloi takim me Nathalie Francken, Drejtore Ekzekutive në Grupin e Bankës Botërore, në kuadër të Takimev Pranverore 2026 në Washington DC.

Në këtë takim të përbashkët me Ministrin Hekuran Murati, të mbajtur në formatin e BB-së, u diskutuan zhvillimet në sektorin financiar, me theks të veçantë në avancimin e gjithëpërfshirjes financiare dhe rritjen e qasjes në financa për qytetarët dhe bizneset, përmes projekteve për modernizimin e sistemit të pagesave. Guvernatori Ismaili prezantoi aktivitetet e ndërmarra nga BQK në këtë drejtim, duke përfshirë nismat për edukim financiar, digjitalizimin e shërbimeve dhe rritjen e transparencës në tregun financiar.

Po ashtu, u vlerësua lart bashkëpunimi i deritanishëm në kuadër të projekteve të sektorit financiar, përfshirë projektin për integrimin e Kosovës në SEPA (Zona e Pagesave në Euro) dhe zhvillimin e sistemit të pagesave të shpejta TIPS Clone. Gjithashtu, u mirëprit nënshkrimi i marrëveshjeve ndërkombëtare me Bankën Botërore në fushën e sektorit financiar.

Guvernatori Ismaili falënderoi znj. Francken për mbështetjen profesionale që ekspertët e Bankës Botërore i kanë ofruar BQK së në avancimin e reformave strategjike dhe në forcimin e kapaciteteve institucionale.

BQK mbetet e përkushtuar në thellimin e bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë për të avancuar zhvillimin financiar dhe për të forcuar kapacitetet institucionale në funksion të stabilitetit financiar dhe zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik.

Komento: