Guvernatori i BQK-së, Fehmi Mehmeti, ka deklaruar në vitin 2022, megjithëse ka pasur sfida, sistemi financiar i Kosovës ka treguar qëndrueshmëri të lartë.
BQK-ja sipas tij, ka arritur të zbatojë objektivat e saj, me çka është siguruar një sistem financiar i qëndrueshëm për Kosovën.
Sipas tij fitorja në arbitrazhin ndërkombëtar ndaj institucionit financiar Iute Credit, ka dëshmuar qartë se BQK-ja ka qenë dhe mbetet e sigurt në ligjshmërinë e vendimeve të saj, jo vetëm në raport me këtë institucion, mirëpo kundrejt secilit institucion që ushtron aktivitet financiar në vend.
“Gjatë viteve të fundit janë revokuar 14 licenca/regjistrime të institucioneve financiare dhe të gjitha rastet në gjykata kanë pasur epilog pozitiv për BQK-në”, theksoi ai.
I pari i BQK-së, tha se mesatarja e inflacionit deri në nëntor të vitit 2022, shënoi normën prej 11.5 përqind në krahasim me mesataren vjetore prej 3.4 përqind që ishte në periudhën e njëjtë në vitin 2021.
Guvernatori Mehmeti tha se janë disa faktorë, të cilët kanë bërë që të ketë stabilitet financiar në vend, siç janë rritja e konsumit në vend dhe investimet e huaja.
“Viti 2022 filloi me një perspektivë të mirë edhe Fondi Monetar Ndërkombëtar ka paraparë si ne, një lëvizje prej 3 deri në 4 përqind e ndikuar prej shumë faktorëve”, tha ai.
Sipas vlerësimeve të BQK-së, Buro Prodhimi Vendor (BPV) në 2022, pritet të shënoj rritje prej 3 deri në 4 përqind, kryesisht për shkak të tkurrjes së kërkesës së brendshme dhe rritjes së importit, ndërsa eksportet ndikuan pozitivisht.
“Bazuar në të dhënat e regjistruara deri në shtator të 2022, shpenzimet e jorezidentëve në Kosovë, pjesa më e madhe e të cilave janë nga diaspora, ishin në shumë prej 1.48 miliardë euro, që paraqet një rritje prej 26.1 përqind krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2021”, tha ai.
Sipas Mehmetit, viti 2022 shënoi një ritëm më të shpejtë të rritjes së remitencave të dërguara nga diaspora në Kosovë. Deri në fund të muajit tetor 2022 ato arritën në 1 miliardë euro, që paraqet rritje vjetore prej 5.5 përqind.
“Rritja e kërkesës së brendshme në Kosovë gjatë vitit që lamë pas u reflektua në një vlerë më të lartë të importit të mallrave, i cili deri në shtator 2022, shënoi vlerën 4.15 miliardë euro apo një rritje vjetore prej 24.6 përqind. Në anën tjetër, eksporti i mallrave shënoi vlerën prej 688.0 milionë euro, duke shënuar rritje vjetore prej 27.1 përqind”, tha ai.
Mehmeti tha se mjetet e sistemit financiar, më 30 tetor 2022 ishin në vlerë prej 9.43 miliardë euro ose një rritje vjetore prej 10.2 përqind, ndërsa vlera e kredive të reja të lëshuara nga sektori bankar ishte 1.59 miliardë euro, që paraqet një rritje vjetore prej 13.6 përqind, përderisa vlera e përgjithshme e kredive aktive në sektorin bankar deri në shtator 2022, ishte 4.27 miliardë euro, që paraqet një rritje vjetore prej 18.4 përqind, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.
“Për sa i përket zhvillimeve të brendshme, BQK-ja edhe gjatë vitit 2022 ka vazhduar me avancimin dhe zhvillimin e kapaciteteve të saj profesionale në të gjitha fushat. Përkundër situatës së krijuar dhe kushteve jo shumë të favorshme në tregjet ndërkombëtare, Banka Qendrore e Republikës së Kosovës ka arritur të ruajë qëndrueshmërinë e saj financiare dhe performancën e mirë të institucionit, duke gjeneruar rezultat financiar pozitiv”, tha ai.
Sipas Mehmeti, zhvillime pozitive ka pasur edhe në sektorin e sigurimeve, ku deri në shtator 2022, asetet e këtij sektori, shënuan vlerën prej 259 milionë euro, apo një rritje vjetore prej 10 përqind.
Edhe sektori pensional u karakterizua me rritje, krahasuar me vitin paraprak (2021).
Vlera e përgjithshme e aseteve të sektorit pensional në shtator 2022 arriti në 2.3 miliardë euro krahasuar me 2.2 miliardë sa ishin në shtator 2021, që përkon me një rritje vjetore prej 4.2 përqind.
Sa i përket sektorit të institucioneve mikrofinanciare dhe institucioneve financiare jobankare, deri në tetor 2022, asetet arritën vlerën prej 386.1 milionë euro duke shënuar rritje vjetore prej 12.6 përqind.
Gjithsej kreditë aktive të këtij sektori në tetor shënuan vlerën prej 276 milionë euro, apo rritje vjetore prej 18.4 përqind.