Guvernatori Mehmeti: Normat e interesit që kishte Iute Credit ishin jashtë çdo standardi – Ora Info Ballina | ORAinfo.com - Nuk ndalet

Guvernatori Mehmeti: Normat e interesit që kishte Iute Credit ishin jashtë çdo standardi

13:56 | 19 Nëntor 2022

Mehmeti: Normat e interesit që kishte Iute Credit ishin jashtë çdo standardi.

Guvernatori i Bankës Qendrore, Fehmi Mehmeti sot në një konferencë për media ka mirëpritur vendimin e Tribunalit të Arbitrazhit në lidhje me rastin ndaj “IuteCredit”.

“Kam kënaqësinë të ndaj një lajm shumë të mirë për Kosovën, në veçanti për Bankën Qendrore…sikurse jeni në dijeni Republika e Kosovës ka fituar arbitrazhin ndërkombëtare ndaj institucionit mikrofinanicar IuteCredit”, tha ai

Sipas tij, BQK synon të ofrojë kushte sa më të mirë, duke mundësuar operimin në tregun tonë financiar vetëm të institucioneve të cilat kontribuojnë në stabilitetin dhe zhvillimin e sistemin financiar.

Ai tha se IuteCredit vazhdimisht ka devijuar nga plani i biznesit në bazë të të cilit kishte marr licencën, duke sjell diçka tjetër prej asaj që kishte premtuar.

Mehmeti më tej tha se normat e interesit që aplikonte ky institucion ishte jashtë çdo standardi.

“IuteCredit kishte iniciuar padi pranë Arbitrazhit ndërkombëtar për të kontestuar ligjshmërinë e vendimit të Bordit ekzekutiv të Bankës Qendrore të Kosovës. Banka Qendrore falënderon Qeverinë e Kosovës për inicimin e ndarjes së mjeteve monetare për mbrojtje të Republikës së Kosovës pranë Arbitrazhit”, tha Mehmeti, duke falënderuar po ashtu Ministrinë e Drejtësisë, Avokatin e Shtetit.

Guvernatori i BQK më tej tha se si rrjedhojë e angazhimit dhe procesit profesional të BQK-së është arritur që ky proces që të ketë epilog 100 për qind në favor të vendit.

“Po aq e rëndësishme sa edhe rezultati është edhe fakti se kostoja në këtë proces do të bartet nga pala paditëse, pra nga IuteCredit”, tha ai.

“Nuk do të lejojmë asnjëherë operimin e atyre institucione që nuk zbatojnë kërkesat rregullative në vend dhe të cilat shfrytëzojnë kushtet e vështira financiare që mund të gjenden një pjesë e qytetarëve tanë…”, tha ai.

Komento: