Haddad: Miqësia Francë-Kosovë daton prej kohësh, do të punojmë për një vend më të sigurt

10:20 | 27 Korrik 2026
haddad:-miqesia-france-kosove-daton-prej-kohesh,-do-te-punojme-per-nje-vend-me-te-sigurt

Ministri i Deleguar për Evropën nga Franca, Benjamin Haddad, ka vlerësuar marrëdhëniet e miqësisë mes Francës dhe Kosovës, duke thënë se ato datojnë që nga periudha e ish-presidentit Ibrahim Rugova.

Pas takimit me ministrin në detyrë të Punëve të Jashtme të Kosovës, Glauk Konjufca, Haddad tha se Franca ka mbështetur Kosovën në momente të rëndësishme, përfshirë procesin e Pakos së Ahtisarit dhe dërgimin e trupave të KFOR-it.

“Ne kemi suportuar Pakon e Ahtisarit dhe dërgimin e trupave të KFOR-it. Jam i lumtur që kemi punuar për këtë marrëdhënie bilaterale dhe që sot jam këtu në këtë vizitë”, u shpreh Haddad.

Ai tha se gjatë vizitës së tij të parë në Kosovë në këtë rol, ka parë praninë e kompanive franceze në vend, duke e cilësuar këtë si një dëshmi të bashkëpunimit mes dy vendeve.

“Prezenca ime sot është dëshmi e miqësisë sonë me Kosovën. Do të mundohemi që së bashku të krijojmë një vend më të sigurt”, tha ministri francez.

Komento: