Hadërgjonaj flet për tmerrin që përjetoi skuadra e tij pas tërmetit në Turqi: “Gjithçka ishte shembur”

17:52 | 07 February 2023

“Gjithçka ishte shembur” – Hadërgjonaj flet për tmerrin që përjetoi skuadra e tij pas tërmetit në Turqi.

Florent Hadërgjonaj ka folur për situatën e krijuar në Turqi, pas tërmetit të fuqishëm që goditën këtë vend.

Skuadra ku aktivizohet kosovari, Kasimpasa, luajti në fundjavë në udhëtim kundër Hatayspori, skuadër që vije nga rajoni më i prekur nga tërmeti, transmeton Gazeta Express.

Hadërgjonaj, në një intervistë për “20min.ch”, tregoi se ekipi i Kasimpasas ishte i vendosur në një nga hotelet të prekur nga tërmeti.

“Ekipi ishte pikërisht në mes. Në orën katër të mëngjesit, grupi i ekipit ishte i mbushur plot me mesazhe që u thoshin të largoheshin nga hoteli”, tha ai.

Reprezentuesi i Kosovës nuk kishte udhëtuar për këtë ndeshje shkaku i lëndimit, teksa kishte qëndruar në Stamboll.

“Shokët e mi të skuadrës ishin shumë me fat. Gjithçka përreth qytetit ishte shembur”, tha 28-vjeçari.

Tërmeti zgjati rreth dy minuta. Ekipi më pas u nis me vetura për në Adana, rreth dy orë e gjysmë larg dhe prej andej fluturoi për në Stamboll.

“Ne të gjithë shpresojmë që situata dhe moti të qetësohet, që punëtorët e shpëtimit të mund ta bëjnë punën e tyre”, shtoi mbrojtësi i Kosovës.

“Ne të gjithë shprehim ngushëllimet tona për të prekurit dhe familjet e tyre. Është e tmerrshme”, deklaroi Hadërgjonaj.

Komento: