Hahn i rikthehet takës, kërkon qe ajo të hiqet menjëherë

13:38 | 29 May 2019

Janë bërë disa muaj që kur Kosova ka vendosur taksë 100% ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnjë Hercegovinës.

Komisionari i BE-së për Politikat Evropiane të Fqinjësisë dhe Negociatat e Zgjerimit, Johaness Hahn, ka kërkuar vazhdimin e dialogut Kosovë-Serbi, derisa i ka bërë thirrje edhe një herë Prishtinës zyrtare të heqë taksat ndaj mallrave serbe.

“Sa i përket dialogut Kosovë-Serbi, këto dy vende duhet të vazhdojnë. Kosova duhet të heqë tarifat për Serbinë dhe Bosnjën. Tarifat për Serbinë dhe Bosnjën, duhet të hiqen. Kosova duhet të bazohet në marrëveshjen e MSA-së”, tha Hahn.

Ai këto komente i bëri me rastin e prezantimit të raportit të progresit për zgjerimin nga ana e Komisionit Evropian para Parlamentit Evropian.

Hahn edhe kësaj radhe ka rekomanduar çeljen e negociatave për anëtarësim për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë.

“Të kihen parasysh bizneset e Kinës që po rriten në Ballkan, që edhe nëse ofrojnë lehtësi është me rëndësi që të sigurojmë se çdo aktivitet i huaj në rajon, të përmbushë standardet dhe vlerat e BE-së. Sa i përket vendeve të caktuara, vendet janë përgjigjur strategjisë për Ballkanin. Jam i kënaqur se si Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë reaguar. Jam i kënaqur të shikoj sesi Shqipëria ka ndjekur reformën në drejtësi, sidomos në sistemin gjyqësor, rivlerësim të paprecedentë të prokurorëve dhe gjykatësve dhe në lidhje se si Maqedonia e Veriut zgjidhi çështjen e emrit. Komisioni rekomandon që Këshilli të hapë negociatat tani me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut”, tha ai.

Pas marrjes serish të rekomandimit për çeljen e negociatave nga Komisioni Evropian, janë vendet anëtare që do të vendosin për këtë propozim. E vendimi final i takon Këshillit të ministrave të jashtëm të vendeve BE, që do të mblidhen në qershor.

Holanda dhe Gjermania do të marrë miratimin e Parlamentit për të vendosur pro këtij vendimi, teksa Franca dhe Belgjika janë skeptike për të vijuar me zgjerimin e BE në këtë kohë.

Në lidhje me Serbinë dhe Malin e Zi, Hahn tha se këto dy vende duhet të rrisin përpjekjet e tyre në lidhje me çeljen e negociatave për anëtarësim në BE.

Komento: