Hahn ua tërheq vërejtjen Kosovës dhe Serbisë: Njëra ta heq taksën, tjetra ta ndalojë lobimin për tërheqjen e njohjeve.
Komisari Evropian për zgjerim Johannes Hahn ka dërguar porosi të qarta për Kosovën dhe Serbinë.
Komisari Evropian për zgjerim Johannes Hahn ka porositur nga Helsinki për vazhdimin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë duke thënë se është shumë i rëndësishëm për perspektivën evropiane të gjithë rajonit të Ballkanit Perëndimor.
“Është thelbësore që Kosova ta heq taksën”, tha Hahn nga Helsinki ku është duke u zhvilluar takimi i Ministrave të Punëve të Jashtme të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor.
“Zgjidhja, rrjedha pozitive e dialogut mes Serbisë dhe Kosovës, është element kyç për të ardhmen e perspektivës evropiane të gjithë rajonit”, shtoi ai.
Hahn përsëriti thirrjen e tij për heqjen e taksës ndaj mallrave serbe në Kosovë.
“Është shumë e rëndësishme heqja e taksës sepse është kundër parimeve të Bashkësisë. Kur bëhet fjalë për tregtinë e lirë, nuk ka vend për taksa. Kjo duhet të ndryshojë”, theksoi Hahn.
Por, ai po ashtu i bëri thirrje Serbisë të ndalojë fushatën për tërheqjen e njohjeve të pavarësisë së Kosovës, transmeton lajmi.net.
“Në të dyja palët duhet të bëhen hapa njëri drejt tjetrit. Mendoj se mund të gjejmë zgjidhje dhe se kjo nuk është e pamundur”, porositi Hahn. Ai beson se pas zgjedhjeve të ardhshme në Kosovë do të jetë një “situatë më e qartë”.
“Së bashku me Bashkimin Evropian shpresoj të hyjmë në finalizimin e bisedimeve”, përfundoi Hahn.