Pas SHBA-së edhe Bashkimi Evropian po bën presion tek liderët vendor që të heqin dorë nga taksa 100 % ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnjës.
Komisari për Zgjerim dhe Fqinjësi të mirë, Johannes Hahn, ka ofruar një format të ri për adresimin e mosmarrëveshjeve rreth taksës, mes Kosovës e Serbisë, transmeton Gazeta Metro.
Por kushti që zyrtari i lartë nga Komisioni Evropian t’u japë start këtyre negociatave është një “armëpushim” mes Prishtinës dhe Beogradit në veprimet që ngjallën provokime dhe acaruan raportet mes dy vendeve.
Në Zyrën e kryeministrit Haradinaj kanë përsëritur se pezullimi i taksës ndodh vetëm nëse përmbushen kushtet e vëna prej tij. Por me listën e kushteve të Haradinajt nuk janë pajtuar partnerët e koalicionit, duke bërë që të thellohet përçarja mes tyre.
Zyra e komisarit Johannes Hahn ka shpalosur për Koha Ditore ofertën të cilën ua ka prezantuar palëve në Prishtinë dhe Beograd, në dhjetor të vitit të kaluar, por e cila ende nuk është pranuar.