
Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), Ardian Hajdaraj, ka deklaruar se shkarkimi i Besim Kelmendit nga pozita e ushtruesit të detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit erdhi pas qëndrimeve “të njëanshme dhe denigruese” të këtij të fundit, si në mbledhjet e Këshillit ashtu edhe në paraqitjet publike.
Në një konferencë për media të mbajtur të martën, Hajdaraj tha se në mbledhjen e 20 nëntorit Kelmendi, së bashku me katër anëtarë të tjerë, e lanë kundërligjshëm takimin, duke pamundësuar kuorumin dhe duke synuar, sipas tij, bllokimin e punës së Këshillit. Pavarësisht ndërprerjes fillestare të mbledhjes, pesë anëtarët e pranishëm vendosën për shkarkimin e Kelmendit dhe caktuan Agron Qalajn si ushtrues detyre.
Vendimi ka nxitur reagime të shumta dhe është cilësuar si i kundërligjshëm. Vetë Kelmendi ka paraqitur padi ndaj KPK-së, duke kërkuar anulimin e tij.
“Nga qëndrimet e njëanshme dhe denigruese të zotit Kelmendi është zbehur roli unifikues që duhet ta ketë Kryeprokurori i Shtetit, si dhe është cenuar besimi i publikut në sistemin prokurorial,” tha Hajdaraj, duke shtuar se pikërisht këto zhvillime kanë ndikuar që sistemi të mbetet pa Kryeprokuror të dekretuar.
Ai theksoi se KPK e mirëpret faktin që Kelmendi po përdor rrugët ligjore për të kontestuar vendimin, duke nënvizuar se vendimi për shkarkimin e tij është marrë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjin.
Sipas Hajdarajt, tentimet për të penguar punën e Këshillit përbëjnë “sulm të drejtpërdrejtë” ndaj institucionit dhe rrezikojnë sigurinë juridike. Ai kritikoi edhe daljen e Kelmendit në konferencë për media, duke thënë se prokurorët duhet të ndjekin procedurat ligjore dhe jo të paraqesin akuza publike.
“Kësisoj, ai nuk e ka kryer detyrën sipas Kushtetutës dhe ligjit; përkundrazi ka lëkundur seriozisht besimin e publikut në sistemin prokurorial,” përfundoi Hajdaraj.