Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, është sqaruar përsëri lidhur me deklaratën e saj për vendosjen e reciprocitetit me shtetin e Serbisë.
Ajo tha se “se nuk kam dashur që t’i vendosim menjëherë masat e reciprocitetit me Serbinë”.
Hajdari shtoi se Qeveria nuk e konsideron reciprocitetin si armë hakmarrjeje por si parim që ka në concept barazinë.
Ministrja tregoi se akutalist janë duke finalizuar analizat e gjendjes së raportit tregtar, para se të marrin ndonjë vendim.
Njoftimi:
Deklarata ime në konferencën e sotme rajonale të organizuar nga Oda e Afarizmit të Kosovës, lidhur me vendosjen e masave të reciprocitetit është keqinterpretuar. Unë nuk kam thënë se reciprociteti nuk është zgjidhje e problemeve, por kam thënë se nuk kam dashur që t’i vendosim menjëherë masat e reciprocitetit me Serbinë.
Aktualisht po i finalizojmë analizat e gjendjes së raportit tregtar, para se të veprojmë. Tani kemi edhe drejtor të ri të doganave dhe meqë shumë prej barrierave të Serbisë nuk janë sistemike por sporadike, ne na duhet t’i përgatisim mirë zyrtarët tanë doganorë për ta zbatuar reciprocitetin.
Në Qeverinë Kurti 1 e patëm vendosur reciprocitetin gradual pas dy muajve.
Reciprociteti është parim i shëndoshë i raporteve normale midis shteteve.
Ne nuk e kemi reciprocitetin si armë hakmarrjeje, por si parim që del nga koncepti i barazisë. Do ta vendosim reciprocitetin, jo për të ngritur barriera, por për t’i hequr ato. Dhe për t’i mbrojtur qytetarët nga shkelja e dinjitetit dhe e të drejtave.