Produktet e Serbisë vazhdojnë të qarkullojnë në tregun e Kosovës.
Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë e Kosovës, Rozeta Hajdari, ka marrë vendim për masa mbrojtëse ‘anti-damping’ ndaj dy llojeve të produkteve të prodhuara në Serbi.
Bëhet fjalë për masën mbrojtëse nga 0.04 centë për kilogram në importin e të gjitha llojeve të koncentratit të kafshëve dhe shpezëve dhe për 0.04 centë për blloqet standarde me origjinë nga shteti i Serbisë.
Pas hetimeve të bëra në treg nga Departamenti i Tregtisë, është vërtetuar se këto mallra në tregun e Kosovës shiten me çmim më të ulët sesa në tregun e Serbisë.
Këto dy vendime të ministres Hajdari vijojnë pas kërkesës së shoqatës së prodhuesve të materialit ndërtimor nga argjila, rrjedhimisht të prodhuesve vendor dhe propozimit të Komisionit për Vlerësimin e Detyrimeve në Importe.
Vendimet të cilat janë publikuar të premten në Gazetën Zyrtare, janë marrë më 22 prill.
Damping nënkupton importin e mallrave në Kosovë me një çmim më të ulët të eksportit, sesa çmimi i krahasueshëm për produktin e ngjashëm në tregun e vendit eksportues.
Anti-damping është masë mbrojtëse për importin e produkteve nën hetime, pas ankesave të kompanive prodhuese brenda shtetit.