Hajnat plaçkitin një të ri në Prishtinë, shkaktojnë aksident duke ikur me veturën që vodhën

23:58 | 17 Janar 2023

Rastet e grabitjeve e të vjedhjeve po vazhdojnë të rriten, ndërkohë që siguria për të lëvizur edhe në hapësirat publike po rrezikohet. Ndër rastet e shpeshta të grabitjeve janë gjësendet me vlerë, si stolitë e arit, telefonat e çantat e krahut që hajnat arrijnë t’i kapin nga qytetarët nëpër rrugë.

Një rast i frikshëm ka ndodhur mbrëmë në rrugën ‘Hazir Haxholli’, ku tre persona ende të paidentifikuar dyshohet se kanë plaçkitur një 22-vjeçar që po udhëtonte me veturën e tij.

Sinjali mëson se viktima ishte ndalur që t’i pyeste të dyshuarit se a është në drejtimin e duhur për në destinacionin që duhej të arrinte dhe në atë moment të dyshuarit kanë shfrytëzuar rastin dhe kanë nxjerrë një armë dhe një thikë duke e kërcënuar që t’ua japë të gjitha gjërat me vlerë që ka.

Të dyshuarit nën kërcënimin e armëve kanë marrë nga 22-vjeçari rreth 1 mijë e 400 euro, çelësat e banesës dhe të veturës dhe një telefon celular.

Menjëherë pas kryerjes së veprës, të dyshuarit kanë marrë veturën e viktimës dhe janë larguar në drejtim të panjohur, por që gjatë ikjes kanë shkaktuar aksident duke goditur rrethojat e një biznesi privat në Shkabaj dhe më pas kanë braktisur veturën aty.

Njësitë policore kanë marrë të gjitha veprimet hetimore që ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të rastit dhe çojnë në identifikimin e të dyshuarve.

Me urdhër të prokurorit, rasti është cilësuar ‘Grabitje’, ndërsa veprimet tjera ligjore do merren pasi të kapen të dyshuarit.

Komento: