Hajvalia ka mbetur pa ujë të pijshëm si pasojë e shpërthimit të një tubi.
Shpërthimi i tubit të ujësjellësit ka bërë që rruga në Lagjen “Hajvalia” të ketë dëme të mëdha. Rrëshqitja e dheut në këtë lagje ka bërë që Fshati Ndërkombëtar dhe Lagjja “Veternik “ të mbesin pa ujë.
Kryefeshefi i Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Prishtina” , Ilir Abdullahu, theksoi se gjendja është e rëndë dhe mundësia për të ndërhyrë është e vështirë.
Megjithatë, ai theksoi se ekipet emergjente kompetente janë në terren ku po bëjnë përpjekje për sanimin e gjendjes.
“Jemi të informuar për gjendjen, ekipet tona janë në terren duke punuar për të sanuar gjendjen. Gjendja është realisht e rëndë, Fshati Ndërkombëtar dhe një pjesë e Lagjes Veternik janë pa ujë. Intervenimi për të ndërhyrë po bëhet gjithë e më i vështirë”, tha Abdullahu përmes telefonit.
Më 4 korrik 2019, Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” përmes një komunikate për media pati informuar qytetarët për gjendjen e krijuar në këtë lagje të kryeqytetit.