Haki Abazi i është bashkuar sot Lëvizjes Vetëvendosje.
Analisti politik, Haki Abazi, edhe zyrtarisht iu bashkua Lëvizjes Vetëvendosje. Këtë e bëri të ditur kryetari i VV-së, Albin Kurti, përmes një postimi në Facebook.
Kurti ka shkruar se njohuria dhe eksperienca e Haki Abazit e bëjnë vlerë të shtuar të Lëvizjes.
“Haki Abazi na u bashkua në VETËVENDOSJE!. Njohuritë e gjera dhe eksperienca zhvillimore e Hakiut në Kosovë dhe vende të ndryshme nëpër botë, e bëjnë atë një vlerë të shtuar në Lëvizjen tonë”, ka shkruar Kurti.
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje ka shkruar për veprimtarinë e bujshme të Abazit duke thënë se ai ka jetuar në 120 shtete të botës këto 20 vitet e fundit.
“Hakiu njihet, në mes tjerash, për përkrahjen e tij të vazhdueshme në themelimin e dhjetra organizatave në Kosovë që promovojnë filantropinë, zhvillimin e qëndrueshëm, ide ndërmarrëse inovative, lirinë e mediave, luftën kundër korrupsionit, dhe qeverisjen e përgjegjshme. Ai ka jetuar e punuar në 120 shtete të botës në këto 20 vitet e fundit”, është shprehur Kurti.
Kryetari i VV-së ka deklaruar se bashkë do të ecim drejt fitores së pashmangshme.