Haki Abazi: Ky vend nuk ndryshon me Mimoza Kusarin

23:26 | 17 November 2022

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abazi ka shprehur hapur pakënaqësinë me shefen e Grupit Parlamentar të partisë ku bën pjesë edhe ai, Mimoza Kusari-Lila.

Abazi ka vlerësuar se Kusari-Lila është një figurë e ricikluar politike.

“Ky vend nuk ndryshon duke i ricikluar njerëzit e njëjtë. Nuk ndryshon me Mimoza Kusarin. Ndaç merre personale, ndaç merre çfarëdo”, ka thënë Abazi në Pressing të T7.

Abazi pa ia përmendur emrin, ka folur edhe për deputetin tjetër të VV-së, Armend Muja, duke aluduar se ai nuk përfaqëson frymën e VV-së.

“Nëse flasim për transformim të mendësisë qeverisëse, për korrektim të problemeve të krijuara nga e kaluara, nuk mundesh as me këtë që është kryese e detyrës kundër statutit të Lëvizjes, e as me atë tjetrin që ka qenë në Agjencionin e Akredimit të Institucioneve të Larta Arsimore”, ka thënë ai.

Abazi ka theksuar se vlerë e VV-së është pasioni i aktivistëve.

Ai ka thënë se pa Mimoza Kusari-Lilën, do të gjendjen zgjidhja edhe për Kodin Civil, një projektligj që ka hasur në kundërshtim te deputetët konservatorë të partisë.

“Vlera e VV-së është te pasioni i aktivistëve, që veten e kanë parë në dritëhijen e ndryshimeve të thella. Këtu është pakënaqësia edhe te unë, edhe te Visar Korenica. Edhe për Kodin Civil, po të bëhej debati jashtë kornizimit të Mimoza Kusarit, do të gjendej zgjidhja e problemit. Unë jam pro Kodit Civil, Visar Korenica është kundër Kodit Civil, por të dy jemi për Kosovën me prosperitet”, ka theksuar ai.

Komento: