Shoqata “Jetimat e Ballkanit” e cila udhëhiqet nga humanisti Halil Kastrati ka dhuruar 17 banesa për familjet në nevojë.
Në vigjilje të përvjetorit të 11-të të Pavarësisë së Kosovës, Shoqata Bamirëse “Jetimat e Ballkanit” në një ceremoni solemne ka dorëzuar 17 banesa për familjet në nevojë, ndërsa kanë premtuar se gjatë këtij viti do të ndërtohen rreth katërqind sosh, si dhe do të ndërtohet një shtëpi e pleqve në Suharekë.
Themeluesi dhe kryetari i shoqatës, Halil Kastrati u shpreh falënderues ndaj gjithë atyre donatorëve që kanë kontribuar që të arrihet ky rezultat dhe të përfitojnë familjet skamnore.
Sipas tij, qëllimi i vetëm është që të arrijnë t’i ndihmojnë deri te dera e fundit e nevojtarit.
“Po ndërtohen katërqind shtëpi, që kjo është e para dhe e dyta po ndërtohet një shtëpi e pleqve, ku kapaciteti i saj është 508 persona. Dhe atë duke falënderuar kryetarin e Suharekës që na ka dhënë parcelën dhe objektin i cili duhet të shtihen 1.5 milion euro për t’ia shti çelësin atij objekti… Qëllimi i vetëm ynë dhe e kam lutur Zotin që mos ma merr shpirtin për derisa të arrijmë te dera e fundit e nevojtarit”, tha Kastrati.
Të pranishëm në këtë ceremoni ishin dhe shumë kryetarë komunash, ku i pari i Skenderajt, Bekim Jashari tha se patriotizmi për të gjithë është kur e ndërtojnë dhe e zhvillojnë Kosovën, siç po bën Halil Kastrati.
Siç thotë ai ka shumë raste të rënda në Kosovë, por populli ynë është aq human dhe atdhedashës, sa po bëhet bashkë për të rimëkëmbë njëri-tjetrin.
“Për mua i njëjti patriotizëm është ai i cili ndërton dhe zhvillon vendin tonë”, tha ai.
E deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi tha se kjo ngjarje po dëshmon se siç dikur janë bërë bashkë me fituar kundër Serbisë, tash, sipas tij duhet të jemi bashkë të mundur varfërinë.
“Sikur dikur që jemi bërë bashkë për të mundur Serbinë, tash duhet të jemi sërish bashkë për të mundur varfërinë”, deklaroi Selimi.
Përndryshe, Shoqata ‘Jetimat e Ballkanit’ deri më tani ka ndërtuar mbi katërqind shtëpi për familjet në nevojë.