Halil Kastrati: Investim rreth 3 milionë euro për fabrikën e ujit në Kaçanik

20:45 | 12 Qershor 2026
halil-kastrati:-investim-rreth-3-milione-euro-per-fabriken-e-ujit-ne-kacanik

Humanisti Halil Kastrati ka njoftuar për nënshkrimin e marrëveshjes së bashkëfinancimit për ndërtimin e Fabrikës për Përpunimin e Ujit të Pijshëm në Kaçanik, një projekt me vlerë rreth 3 milionë euro.

Sipas tij, marrëveshja është arritur në bashkëpunim me Kryetarin e Komunës së Kaçanikut, Sabedin Vishi, dhe konsiderohet një ndër projektet më të rëndësishme për qytetin.

“Ka momente kur nënshkruhen dokumente, e ka momente kur nënshkruhet shpresa”, është shprehur Kastrati, duke theksuar rëndësinë jetike të këtij investimi.

Ai ka bërë të ditur se projekti do të ndikojë drejtpërdrejt në përmirësimin e jetës së qytetarëve, duke siguruar furnizim më të qëndrueshëm me ujë dhe cilësi më të lartë për mijëra banorë të Kaçanikut.

“Uji nuk është luks. Uji është e drejtë themelore dhe nevojë jetike”, ka deklaruar ai.

Kastrati gjithashtu ka theksuar se investimet në ujë janë investime të drejtpërdrejta në shëndetin dhe mirëqenien e qytetarëve, duke shtuar se projekte të tilla prekin çdo familje dhe çdo brez.

Në fund, ai ka shprehur mirënjohje për të gjithë kontribuuesit, duke thënë: “Bamirës, Zoti kurrë mos ju humbtë!”

Komento: