Sibel Halimi ka folur pas vendimit të fundit të Qeverisë së Kosovës për afatin e targave.
Ajo ka theksuar se Lëvizja Vetëvendosje nuk duhet të sillet me arrogancë ndaj kërkesave të aleatëve ndërkombëtarë sa i përket shtyerjes së afatit për targat.
Halimi e cilëson shqetësues reagimin e djeshëm të ShBA-së, pas vendimit, derisa thotë se qeveria duhet të përcaktohet që ta ruajë relacionin me shtetin më aleat të Kosovës.
“Kosova gjendet në një situatë të ndjeshme politike, si rrjedhojë është i domosdoshëm bashkëpunimi dhe koordinimi me aleatët tanë, ShBA-të dhe BE-në. Konstatimi i Qeverisë Amerikane karshi mosmarrjes parasysh të rekomandimeve të saj, mjaft shqetësues. Ndaj, kërkojmë që partia në pushtet të përcaktohet strategjikisht për ruajtjen e këtij relacioni të një rëndësie jetike për zhvillimin e vendit tonë”.
“Ashtu siç ka theksuar edhe kryetari Lumir Abdixhiku, institucionet e vendit duhet t’i trajtojnë me ndjeshmëri të lartë rekomandimet dhe kërkesat e miqve tanë. Sjellja me arrogancë ndaj kërkesave të partnerëve tanë, dëmton interesat strategjike të vendit dhe mund të prodhojë pasoja afatgjata në rrugëtimin tonë politik. Siç na mëson e shkuara, këto marrëdhënie janë fundamentale për të fituar një pozicion më të mirë ndërkombëtar për vendin tonë, si dhe për të ndjekur synimet tona strategjike”, ka thënë Halimi për Klankosova.tv.
Qeveria, në mbledhjen e djeshme, mori vendim të ri për targat që parashihet që të hyjë në fuqi nga 1 nëntori, ku nga kjo datë deri më 21 nëntor të gjithë pronarët e veturave që kanë targa ilegale serbe vetëm do të qortohen.
Nga 21 nëntori deri më 21 janar të njëjtit do të gjobiten, ndërsa nga 21 janari deri më 21 prill do të ketë targa provuese.