Haliti: Kurti po e luan të fortin por për ta luajtur këtë rol ai s’ka kurrfarë fuqie

09:06 | 28 Qershor 2024
haliti:-kurti-po-e-luan-te-fortin-por-per-ta-luajtur-kete-rol-ai-s’ka-kurrfare-fuqie


Xhavit Haliti nga PDK thotë se kërkesat e Kurtit dje në Bruksel janë të dëshirueshme por që Serbia nuk ka obligim kushtetues në raport me to.
Sipas tij, Kosova dhe Serbia janë të obliguara të zbatojnë marrëveshjet e nënshkruara në Bruksel, dhe jo ultimatumet e Albin Kurtit.

“Kushtet e Kurtit janë të dëshirueshme por janë kërkesa të cilat Serbia nuk është e gatshme t’i plotësojë, nuk ka asnjë obligim kushtetues nuk e ka në raport me ato tri kërkesa. Kosova dhe Serbia janë të obliguar të zbatojmë marrëveshjet e nënshkruara në Bruksel, dhe jo ultimatumet e Albin Kurti drejtuar BE-së dhe Serbisë”, tha ai.

Haliti thotë për “Front Online” se Kurti po e luan të fortin dhe për ta luajtur këtë rol duhet të ketë fuqi, ndërsa sipas tij, ai nuk ka kurrfarë fuqie.
“Kurti po e luan të fortin dhe për ta luajtur këtë rol duhet të ketë fuqi, por ai s’ka kurrfarë fuqie për ta lujatur të fortin dhe refuzuar BE-në dhe SHBA-të. Por, mbetët dhe është obligim që Albini t’i kryejë detyrat e veta por edhe klasa politike e Kosovës të unifikohet për t’u ulur në bisedime dhe për të filluar zbatimin e Marrëveshjeve”, tha ai.

Haliti thotë në fund se Kosovën nuk mund ta lëmë në terr dhe të izoluar nga BE-ja.
“Ne nuk mund ta lëmë Kosovën në terr dhe të izoluar nga BE-ja. Kosova duhet të jetë pjesë e integruar e BE-së dhe obligimet që dalin nga marrëveshjet janë obligime dhe duhet të zbatohen”, tha ai për Front Online.

Arifi: Refuzimet Kurtit për takim me Vuçiqin tregojnë arrogancë, veprime tërësisht elektorale

Ish kryenegociatori për dialogun Kosovë-Serbi, Avni Arifi thotë për “Front Online” se thotë se sjellja dhe refuzimet e Kurtit përsa i përket takimit me Vuçiqin janë arrogante, gjë për të cilën Kosova nuk ka nevojë në këtë fazë. “Sa u përket kërkesave, veçanërisht asaj për drejtësi që është kërkesë legjitime, që e kërkon edhe populli i Kosovës dhe gjithmonë çdo lider i Kosovës do ta ketë përkrahjen për një gjë të tillë. Sa u përket kërkesave tjera, sjellja dhe refuzimet e tij që të takohet me Vuçiqin  besoj që është një lloj arrogance që Kosovës nuk i duhet në këtë fazë”, thotë ai.

Kushtin e Kurtit për nënshkrim për implementim të marrëveshjeve, Arifi e sheh veprim koti. “Sa i përket nënshkrimit për implementimin e marrëveshjeve  është një veprim krejt koti, pasi ato janë fut në kapitullin e 35-të të BE-së.”

Arifi thotë se sjellja e Kurtit është tërësisht elektorale, pasi sipas tij, dëshiron me prezentu veten si njeri i fortë. “Është tërësisht elektorale prezentimi si njeri i fortë si ai që i përcakton kushtet e dialogut, si duket në vlerësimet e tij ka efekt pozitiv elektoral. Ne do të shohim situata të tilla”, thotë Arifi për Front Online.

 

Komento: