Haliti: Vuçiq asnjëherë s’u distancua nga sulmi terrorist në Banjskë, Radojçiqi duhet të gjykohet në Kosovë

21:11 | 01 Korrik 2024
haliti:-vuciq-asnjehere-s’u-distancua-nga-sulmi-terrorist-ne-banjske,-radojciqi-duhet-te-gjykohet-ne-kosove

Dje është mbajtur Forumi i Dubrovnikut ku kanë marrë pjesë ndihmës sekretari amerikan, James O’Brien, dhe emisari i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë- Serbi, Miroslav Lajçak.

Lajçak ka thënë se BE-ja e ka thënë qartë që marrëveshjet e arritura në Bruksel dhe Ohër janë ligjërisht obligative dhe ka potencuar se obligimet që dalin nga marrëveshja janë edhe pjesë formale e Kapitullit të 35-të për Serbinë, që nënkupton se janë edhe pjesë e raportit në mes të Serbisë dhe BE-së.

Ndërsa Ndihmës Sekretari Amerikan, James O’Brien, në Forumin e Dubrovnikut ka folur edhe për Milan Radojiçiqn, ku tha se Serbia ka premtuar se Radojiçiq do të kalojë përmes procesit të plotë ligjor në Serbi dhe ka potencuar se është që e mirë që tashmë duket se ai s’është aktiv të Veri të Kosovës.

Diplomati amerikan ka potencuar se SHBA dhe BE e kanë deklaruar vazhdimisht se autorët e sulmit të 24 shtatorit duhet të ndëshkohen.

Opozita thotë se deklaratat e tyre janë pozitive për Kosovën, duke konsideruar se pritet largimi i masave të BE-së ndaj shtetit tonë, si dhe gjykimi i Rajiçiqit duhet bërë në Kosovë, pasi gjykimi .

Haliti: Radojçiqi edhe të dalë para gjyqit në Serbi shpallet i pafajshëm, duhet në Kosovë

Xhavit Haliti nga PDK-ja thotë se Borell e Lajçak edhe mund të përfundojnë mandatin dhe të largohen nga pozita por përgjegjësitë e Kosovës dhe Serbisë janë të njëjta që do të vazhdohet aty ku ka mbetur.

“Janë dy çështje që mund të interpretohen me dy kuptime, Borrell e Lajçak edhe hiqen nga pozita që e kanë dhe vjen një përfaqësues tjetër por përgjegjësitë e Kosovës dhe Serbisë janë të njëjta që do të vazhdohet aty ku ka mbetur”, tha ai.

Haliti thotë se duhet të flitet për Vuçiqin për rastin në Banjskë, pasi ai nuk është distancuar nga veprimet e grupit kriminal.

“Ne gabimisht po flasim për Radojiçiqin në kushtet ku ne duhet të flasim për Vuçiqin dhe kërkojmë përgjegjësinë e tij sepse ai akoma asnjëherë nuk është distancuar nga veprimet e grupit kriminal në Bansjkë i cili ishte futur me qëllim që të organizoj kryengritje të armatosur dhe ishte në dijeninë dhe udhëzimet e plotë të Vuçiqit. Serbia edhe Jugosllavia në të kaluarën nuk kanë dorëzuar askënd për të gjykuar jashtë vendit tyre por sipas ligjeve tyre ata gjykojnë në Serbi”, tha ai.

Haliti poashtu thotë se Radojçiqi edhe po të arrestohet në Serbi e shpallin të pafajshëm, prandaj duhet në Kosovë.

“Duhet të fillojnë procedurat për Radojçiqin edhe pse Serbia  edhe me arrestu e me qit para gjyqit e shpallin të pafajshëm”, tha Haliti për Front Online.

Haziri: Raporti i MPJ-së për rastin në Banjskë ka qenë skandaloz, Kosova është turpëruar

Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri thotë se Lajçak edhe O’Brien dhe përfaqësues tjerë në Forumin e Dubrovnikut konfirmuan që progresi është i pakushtëzuar, që masat ndëshkuese ndaj Kosovës duhet të largohen.

“Në takimin e Dubrovnikut edhe Lajçak edhe O’Brien edhe përfaqësues tjerë, konfirmuan që progresi është i pakushtëzuar, që masat ndëshkuese ndaj Kosovës duhet të largohen. Fatkeqësisht masat do të largohen në mënyrë të përshkallëzuar, pra do të ketë pasoja. Dhe, krejt ky raport i kushtëzuar që Kurti tani e ka ndërtuar ka me e vuajt Kosova, sepse jemi në masa financiare të mëdha tash e dy vite gati”, tha ai.

Haziri thotë se Serbia e ka obligim që të bashkëpunoj në rastin e sulmit terrorist në Kosovë deri në dorëzim të Radojiçiqit.

“Poashtu, Serbia e ka obligim që të bashkëpunoj në rastin e sulmit terrorist në Kosovë, në hetime, parandalim deri në dorëzim të Radojiçiqit për veprimin që e ka bërë”, thotë ai.

Nënkryetari i LDK-së thotë se Kosova sa i përket rastit në Banjskë, raportin që ka shfrytëzuar ka qenë skandaloz dhe e ka turpëru vendin.

“Në këtë rast një raport i hetimeve që Kosova e ka shfrytëzu përmes Ministrisë së Jashtme ka qenë skandaloz, dhe e ka turpëru Kosovën sepse Prokuroria Speciale dhe Prokuroria e Shtetit janë ato që do të përfundojnë hetimet dhe shpresoj shumë që do të jetë raport kredibil dhe ai pastaj do të bëhet dokument tek partnerët tanë që do të jetë në kërkim, ekstradim”, thotë Haziri për Front Online.

Lekaj: Lajçak dhe O’Brian theksuan rëndësinë e dialogut dhe bashkëpunimit

Pal Lekaj, deputet i AAK-së thotë për “Front Online” se deklaratat e Lajçak dhe O’Brian në Dubrovnik theksuan rëndësinë e dialogut dhe bashkëpunimit për zgjidhjen e çështjeve të rëndësishme në rajon, duke i vlerësuar ato pozitive.

“Deklaratat e Lajçak dhe O’Brian të shtunën në Dubrovnik më kanë lënë një përshtypje pozitive. Të dyja palët theksuan rëndësinë e dialogut dhe bashkëpunimit për zgjidhjen e çështjeve të rëndësishme në rajon”, tha ai.

Lekaj thotë se ndërmjetësimi ndërkombëtar është thelbësor për përparimin e dialogut.

“Është e qartë se ndërmjetësimi ndërkombëtar është thelbësor për përparimin e dialogut dhe arritjen e një marrëveshjeje të qëndrueshme. Shpresoj që këto përpjekje të vazhdojnë dhe të sjellin rezultate pozitive për të gjithë të përfshirët”, tha Lekaj për Front Online.

Komento: