Eden Hazard i ka reaguar ashpër trajnerit Maurizio Sarrit, duke i thënë se nuk i intereson çfarë thotë ai.
Hazard, e ka vënë edhe më shumë në dyshim të ardhmen e tij në Chelsea me deklaratën e fundit për trajnerin Maurizio Sarri. Kjo i ka nxitur edhe më shumë spekulimet për një marrëdhënie jo edhe aq të mirë mes këtyre të dyve.
Në një intervistë para ndeshjes së mbrëmshme të Chelseat, kundër Tottenhamit në gjysmëfinale të Carabao Cup, Hazardi tha se atij nuk i interesojnë kritikat e Sarrit, transmeton Gazeta Express.
Sarri e kishte vënë në pikëpyetje aftësinë e Hazardit për të qenë lider i skuadrës, pas ndeshjes së parë kundër Tottenhamit, të cilën “blues” e kishin humbur me rezultat 1-0. Chelsea në fund u kualifikua për në finale, pasi që ndeshjen kthyese e fitoi mbrëmë përmes penalltive.
Belgu e fitoi çmimin për lojtarin më të mirë të kësaj ndeshje, pasi arriti t’ia dhurojë epërsinë skuadrës së tij në pjesën e parë të ndeshjes. Paraprakisht, ai kishte bërë të ditur se nuk është i shqetësuar nga komentet e trajnerit të tij.
“Të jem i sinqertë, nuk më intereson. Unë thjesht luaj futboll, nuk ka rëndësi çfarë thotë trajneri. Unë përqendrohem te ekipi dhe gjithmonë dua ta bëjë më të mirën për këtë ekip. Sot, e bëra këtë dhe jam shumë i lumtur”, ka thënë Hazard.
Chelsea e fitoi ndeshjen e mbrëmshme me rezultat 2-1, mirëpo për shkak se rezultati i përgjithshëm ishte 2-2, ndeshja u vendos përmes gjuajtjeve nga pika e penalltisë. Vendasit i shënuar katër penalltitë e para. Hazardi ishte i pesti me radhë, mirëpo bashkëlojtarët e tij u siguruan që belgut të mos i duhej të gjuante nga 11-metërshi.
Tani, londinezët do të përballen me Manchester Cityn në finalen e Carabao Cup, e cila do të zhvillohet më 24 shkurt. Hazardi e pranon se kjo ndeshje do të jetë një sfidë e madhe për të dhe bashkëlojtarët e tij.