
Anëtari i Kryesisë së LDK-së, Muhamet Hamiti, ka folur për gjendjen e Kosovës.
Ai ka bërë me dije se Kosova është në gjendjen më të keqe prej pavarësisë.
Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka numëruar dëmet që ia ka sjell Kosovës Qeveria Kurti.
“Kosova është në gjendjen më të keqe prej pavarësisë në të gjithë treguesit: shoqërorë, ekonomikë, politikë, por edhe moralë. Kosova ka qenë nën sanksione të BE-së dhe të SHBA-ve në kohën e pushtetit aktual që e drejton Vetëvendosja me partnerët e vet. Këto për fajin e kësaj kaste pushetore që po kërkojnë merita dhe mandat për pushtet të mëtejmë. Kosova është në paralizë shoqërore dhe institucionale tash e një vit. Ndërkohë, në këto vite shkeljet e Kushtetutës kanë qenë të pamëshirshme, të panumërta. Më shumë se në 20 vitet e para të Kosovës demokratike bashkë”, ka shkruar ai, duke përmendur elemente tjera që e kanë karakterizuar Qeverinë Kurti.
“Korrupsioni qeveritar është masiv. Pushtetarë në gjyqe dhe në procese hetimore si të dyshuar për korrupsion këto ditë, madje në kohën kur kjo klasë politike e pesë viteve të fundit mori 51% të votave në zgjedhjet e dyta nacionale brenda një viti. Korrupsioni qeveritar e ka cenuar integritetin e këtyre zgjedhjeve, siç e ka prekur edhe manipulimi i votës për kandidatët brenda llojit, të partive në pushtet dhe në opozitë. A do ta kundërshtojë kush këtë katandisje të Kosovës në kohën kur pushtetarët e derisotëm duan ta rivendosin pushtetin e njëjtë absolut?”, ka shkruar ai.