Hamiti: Kosova i ka punët më keq se kurrë, në këto vjet të ekzistencës si shtet i pavarur

11:08 | 13 March 2025
hamiti:-kosova-i-ka-punet-me-keq-se-kurre,-ne-keto-vjet-te-ekzistences-si-shtet-i-pavarur
Anëtari i Kryesisë së LDK-së, Muhamet Hamiti, ka drejtuar kritika të ashpra ndaj Qeverisë Kurti.

Ai ka thënë se me këtë qeveri Kosova i ka punët më keq se kurrë në këto vjet të ekzistencës së saj.

E gjithë kjo, sipas tij, është për fajin e Qeverisë Kurti.

Në profili e tij në “Facebook”, ai ka shkruar e më këtë qeveri perspektiva e Kosovës do të jetë e zymtë.

“Qeveria e Albin Kurtit e ka plandosur Kosovën nën sanksione ndërkombëtare tash e dy vjet. Korrupsionin qeveritar e ka çuar në nivelet më të larta në historinë e këtij vendi. Qindra milionë euro të humbura prej sanksioneve të BE-së. Qindra milionë euro është vlera e tenderëve njëburimorë – potencialisht korruptivë – që i ka dhënë Qeveria e Vetëvendosjes. Kushtetutën e Republikës së Kosovës e kanë shkelur pushtetarët me zell keqdashës. Ndërkohë, Kosova nuk e ka marrë asnjë njohje ndërkombëtare në këtë mandat keqqeverisës të Albin Kurtit me shokë e shoqe. Jemi më larg se kurrë prej integrimeve euro-atlantike”, ka shkruar ai, duke vazhduar kritikat tjera.

“Kjo kastë politike që e përbuz shtetin e Kosovës ka dalë e para në zgjedhjet nacionale të 9 shkurtit. Paradoksalisht, ky soj pushtetarësh rezultatet e votës qytetare po i merr si mbulesë për gjoja drejtësinë e politikave që e kanë katandisur keq Kosovën. Madje rezultatet e kanë trimëruar Albin Kurtin për t’i quajtur ‘hajvanat’ rivalët politikë dhe votuesit që s’e kanë pëlqyer këtë poshtërim të qytetarit të Kosovës dhe shtetit të tij. Kosova i ka punët më keq se kurrë në këto vjet të ekzistencës së vet si shtet i pavarur për fajin e Qeverisë së vet. Me një Qeveri si kjo, perspektiva e vendit tonë është e zymtë”, ka shkruar ai.

Komento:
loading