
Anëtari i Kryesisë së LDK-së, Muhamet Hamiti ka komentuar kompromisin e fundit të kryeministri Albin Kurti në raport me serbët e Kosovës.
Ai ka bërë me dije se pasi lëshoi pe ndaj serbëve, Kurti tani po i kërkohet t’i zbatojë Marrëveshjet e Brukselit dhe të Ohrit që i ka pranuar në vitin 2023. Në profilin e tij në Facebook, Hamiti ka shkruar se këto marrëveshje janë me të këqijat në historinë e dialogut me Serbinë.
“Mbasi lëshoi pe ndaj serbëve, tash Albin Kurtit po i kërkohet t’i zbatojë Marrëveshjet e Brukselit dhe të Ohrit që i ka pranuar vetë më 2023 në emër të Kosovës. Për kujtesë, më këto Marrëveshje, më të këqijat në historinë e dialogut me Serbinë, Albin Kurti ka pranuar vetëmenaxhim, domethanë autonomi politike-territoriale për serbët, në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Kur lëshon pe Kurti ndaj serbëve, bën akte prej burrështetasi në sytë e adhuruesve të vet. Kur Albin Kurti i thuri lavdata Oliver Ivanoviqit, serbit të dënuar për krime lufte ndaj shqiptarëve, askush prej përkrahësve të tij patriotikë nuk ia pa për të madhe”, ka shkruar Hamiti.