Hamza: Do të dalim partia e parë në zgjedhje

21:36 | 21 November 2024

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamaza, ka thënë se partia e tij ka kaluar një periudhë shumë të vështirë pas shkuarjes në Hagë të krerëve të saj.

“Mungesa e z. Thaçi dhe Veseli ka qenë një goditje për PDK-në dhe për një periudhë të shkurt kohore ne jemi detyruar të shkojmë në zgjedhje, dhe normalisht përveç aspektit politik, partiak, institucional, ka qenë edhe aspekti njerëzor, emocional, për shkak se kemi edhe lidhje emocionale e miqësore dhe ka qenë një goditje shumë e madhe për PDK-në.

Zgjedhjet në 2021 kanë ndodh më 14 shkurt dhe PDK-ja ka qenë në një situatë bukur delikate.

Megjithatë, e falënderojmë z. Hoxhaj që kandidoi si Kryeministër për PDK-në. Nuk ka qenë rezultati që ne e kemi dëshiruar dhe e kemi pritur. Mirëpo ai ka qenë rezultati i popullit të Kosovës dhe ka qenë i pranueshëm nga PDK. Megjithatë, ne kemi arritur që ti konsolidojmë radhët tona dhe në zgjedhjet lokale që kanë ndodhur pas 6-7 muaj në tetorin 2021, ne i kemi fituar 8 komuna të mëdhaja dhe i kemi rikthyer në masë të madhe edhe votat e partisë”, tha Hamza në Rubikon të Klan Kosovës.

Ai ka thënë se tashmë PDK-ja është konsoliduar dhe në zgjedhjet e 9 shkurtit presin që të jenë partia e parë.

“Tani pas kësaj periudhe jemi të konsoliduar edhe me ekipe, edhe si strukturë. E kemi strukturën shumë të shtrirë, ekipi është duke punuar jashtëzakonisht shumë dhe mirë, ka unitet të plotë brenda partisë dhe jam i bindur se me një program të mirë, ekip të mirë, me një fushatë të mirë, me një mobilizim shumë të madh, presim që të jemi fitues. Ne garojmë që të jemi partia e parë në zgjedhje. Ne besojmë në fitore”, tha ai, duke shtuar se tashmë ai ka edhe përkrahjen e gjithë partisë.

Komento: