
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës dhe kandidati për Kryeministër, Bedri Hamza, ka vizituar sot Innovation Centre Kosovo (ICK), duke theksuar rolin kyç që teknologjia dhe inovacioni po luajnë në ndërtimin e ekonomisë së re të vendit.
Gjatë vizitës, Hamza u njoh nga afër me punën e vajzave dhe djemve të sektorit të teknologjisë, të cilët po zhvillojnë zgjidhje inovative në fusha si Inteligjenca Artificiale, siguria kibernetike dhe printimi 3D.
Ai bëri të ditur se edhe vetë fushata e tij zgjedhore po përdor teknologji të avancuara, si dëshmi konkrete e orientimit drejt së ardhmes.
“Një pjesë e fushatës sime është duke u gjeneruar me Inteligjencë Artificiale, si dëshmi e vizionit dhe përkushtimit tonë për inovacionin dhe të ardhmen,” theksoi Hamza.
Kandidati për Kryeministër nënvizoi se mbështetja për sektorin e dijes dhe inovacionit do të jetë prioritet i qeverisjes së tij.
“Si kryeministër, do të punoj që Kosova të bëhet një shtet i dijes, me ekonomi digjitale të zhvilluar dhe mbështetje të vazhdueshme për inovatorët tanë,” u shpreh Hamza.
Sipas tij, investimi në teknologji, inovacion dhe të rinjtë kreativë është çelësi për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik dhe për krijimin e vendeve të reja të punës me vlerë të shtuar për Kosovën.