
Kryetari dhe kandidati për kryeministër i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza gjatë hapjes së fushatës së PDK-së në Ferizaj, ka prezantuar pikat kryesore të programit të tij qeverisës.
Hamza premtoi rritje prej 50% të pagave në sektorin publik dhe pensioneve, duke thënë se se qeveria e udhëhequr nga ai do të jetë qeveri e punës, e zhvillimit dhe e dinjitetit për qytetarët.
“Ne do t’i ulim çmimet. Do ta heqim TVSH-në për produktet esenciale. Qytetarët duhet të kenë më shumë para në xhepin e tyre, jo më shumë barrë mbi shpinë. Ne do t’i rrisim pagat dhe pensionet. 50% rritje për sektorin publik. 50% rritje për pensionet dhe ndihmat sociale. Asnjë ndihmë sociale nën 250 euro, sepse askush në Kosovë nuk duhet të jetojë pa dinjitet. Ne do t’i mbështesim bizneset. Më pak tatime mbi pagat. Grante deri në 30% për investime. Mbështetje për prodhuesit vendorë. Mbështetje për sipërmarrësit. Sepse ekonomia nuk ndërtohet me propagandë. Ekonomia ndërtohet duke krijuar vende pune”, theksoi ai.
Hamza është zotuar edhe për investime në energji, në infrastrukturë dhe në teknologji, reforma në shëndetësi, arsim dhe drejtësi.
“30 milionë euro në vit për bursa. Arsim profesional të lidhur me tregun e punës. Digjitalizim të arsimit. Qendra multifunksionale për të rinjtë. Sepse rinia jonë nuk është problem për t’u menaxhuar. Rinia është potenciali më i madh i Kosovës. Dhe po, ne do ta forcojmë drejtësinë. Drejtësi më të shpejtë. Drejtësi të paanshme. Zbatim i plotë i ligjit për të gjithë. Sepse qytetarët kanë nevojë për shtet që funksionon, jo për shtet që arsyetohet”, shtoi ai.