Hamza: Republika e Kosovës është fitore, themelet e saj janë të skalitura me gjak

12:00 | 17 Shkurt 2026
hamza:-republika-e-kosoves-eshte-fitore,-themelet-e-saj-jane-te-skalitura-me-gjak

Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza ka uruar 18-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës.

Në fjalën e tij gjatë seancës solemne të Kuvendit të Kosovës, Hamza tha se 17 shkurti i 2008-ës u bë dita kur guximi i brezave dhe sakrifica e tyre u bë shpresë e përjetshme për çdo qytetarë.

“17 shkurti i 2008-ës është dita kur guximi i brezave tonë dhe sakrifica e tyre u bë shpresë e përjetshme për çdo qytetarë, u shpall Republika e Kosovës, u shpall fundi i një padrejtësie historike. Kjo ditë nuk ishte rastësi, ishte përfundim i një rrugë të gjatë dhe sakrifice. Ishte kulmi i rezistencës, ishte fitore e vendosshmërisë, e një populli që refuzoi të nënshtrohej. Kosova kaloi nga sakrifica në sovranitet, nga rezistenca në Republikë dhe nga ëndrra shekullore në realitet shekullor”.

Pos tjerash, i pari i PDK-së tha se Republika e Kosovës është një fitore dhe se themelet e saj janë të skalitura me gjakun e dëshmorëve.

“Kjo Republikë është fitore. Themelet e saj janë të skalitura me gjakun e dëshmorëve, janë të ngritura mbi sakrificën e atyre që zgjodhën lirinë mbi jetën, prandaj sot, në këtë ditë shumë të rëndësishme për popullin tonë, ne përulemi me mirënjohje para familjeve të dëshmorëve, para luftëtarëve të lirisë, para çdo qytetari që kontribuoi për këtë ditë dhe para aletaëve tanë”, tha ai.

Komento: