Hamza: Rritja e tanishme e pagave nuk është as nivelizim, unë i kam rritur pagat në 100 për qind

22:42 | 21 November 2024

Kandidati i PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza, ka thënë se në të kaluarën sa ka qenë Ministër i Financave, ka arritur që në sektor të caktuar ta rrisë pagën në 100 për qind. Hamza në Rubikon theksoi se Kosova viteve të fundit është përballur me inflacion shumë të lartë.

“Kosova viteve të fundit është përballur me inflacion të lartë, që është mesatare mbi 20 për qind. Nëse i referohemi artikujve të produkteve bazike, ato kanë rritje prej 40 deri në 100 për qind. 40 deri në 100 për qind produktet bazike, si për shembuill buka, mielli, sheqeri, energjia eklektrike të gjitha këto janë që kanë rritje mbi 40 për qind dhe të ardhurat kanë ngelur të njëjta”, tha Hamza.

Sa i përket rritjes së pagave nga Qeveria Kurti, ai tha se kjo nuk është as rritje e as nivelizim i pagave.

“Kjo s’është as rritje, s’është as nivelizim, për shkak se ata nuk e kanë vlerën e njëjtë për para. Vlera e tyre për para është zvogëluar. Për me thjeshtësu, një diçka çka është ble me 10 euro, para 4-5 vjetëve, sot nuk mundesh me e ble as për 150. Standardi i jetesës së qytetarëve është përkeqësu. Unë e di që i kom rrit pagat në mandatin tem dhe kohën kur kam shërby Ministër i Financave ka pasur rritje të pagave 30-50 për qind, edhe tani nese marrim të gjitha rritjet komulative shkon deri në 100 për qind. Rritje e pagave ka ndodhur dhe po e tregojnë shifrat, në vitin 2007 paga e një infermieri ka qenë 140 euro, ka pasur rritje 40 për qind, 27 e kështu me radhë. Paga e një arsimtari ka qenë rreth 150 e diçka euro. Paga e një profesori universitar 500-600 euro, ma shumë nuk ka qenë. Kur unë e kam lanë qeverinë ka qenë 1000 e më tepër euro. Prandaj, kjo po i bjen se ka pasur kategori të caktuara që rritja e pagave ka qenë 100 për qind. Unë kam dalë me premtime, kam dalë me kalkulim të saktë edhe premtimi jem është që, po e di që është premtim elektoral, por dallimi im me të tjerët është se derisa e them e mendoj mirë, shumë e mendoj, por kur e them, i qëndroj prapa”, tha Hamza, duke theksuar se pagat e infermierëve, mësimdhënësve, mjekësve, policëve, ushtarëve e shërbyesve civil do t’i rrisë për 50 për qind në gjysmën e parë të vitit 2025.

Komento: