Zyra e Handikos-it në Skënderaj refuzon të presë politikanë, mbyllet gjatë fushatës.
Për shkak të fushatës zgjedhore, asnjë shërbim nuk do të ofrojë për anëtarët e saj zyra e organizatës së Handikos-it në Skenderaj.
Sipas drejtorit të kësaj organizate, Mentor Mehmeti, ata nuk do të punojnë deri pas përfundimit të zgjedhjeve.
Arsye për këtë, Mehmeti e jep kërkesën për vizita të shumta që ka marrë nga partitë politike në kohë fushate, raporton KTV.
Ndërkaq, Mehmeti thotë se tash e tre vjet, pavarësisht vizitave të ndryshme nga udhëheqës të partive politike, gjendja e objektit të Handikos-it në këtë qytet, është jo e mirë.
Madje, ai thotë që personave me nevoja të veçanta, nuk u mundësohen as kushtet për të votuar.
Arton Demhasaj nga organizata “Çohu”, thotë se kategoritë e margjinalizuara në Kosovë, kanë qenë target i partive politike gjatë fushatave.
Mirëpo, ai tregon se asnjëherë ata nuk kanë qenë pjesë e premtimeve elektorale të tyre.
E, sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, deri në muajin qershor të 2019-ës figuron se më shumë se 17 mijë persona përfitojnë nga pensioni për personat me aftësi të kufizuara.