Hani i Elezit shpall sportistët më të mirë të vitit 2025, nderohet edhe karatistja 13 vjeçare, Leunora Loku

21:26 | 28 Janar 2026
hani-i-elezit-shpall-sportistet-me-te-mire-te-vitit-2025,-nderohet-edhe-karatistja-13-vjecare,-leunora-loku

Komuna e Hanit të Elezit, përkatësisht Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport (DKRS), ka shpallur Sportistët dhe Ekipet më të shquara të vitit 2025, në një ceremoni ku u nderuan arritjet, përkushtimi dhe fryma sportive e sportistëve dhe klubeve lokale, shkruan Gazeta 10.

Në mesin e sportistëve më të dalluar të vitit në disiplinën e karatesë është nderuar edhe Leunora Loku, e cila u shpall një nga karatistet më të mira të vitit 2025, përkrah Albesa Dernjanit, Rona Vilës dhe Sala Koraqit. Ky vlerësim vjen si njohje për rezultatet, disiplinën dhe kontributin e saj në promovimin e sportit të karatesë dhe të komunës së Hanit të Elezit.

Komuna ka theksuar se mbështetja institucionale për sportin, përmes subvencioneve të rregullta, ka luajtur rol kyç në zhvillimin dhe avancimin e sportistëve në të gjitha disiplinat.

Gjatë ceremonisë u shpallën edhe më të mirët në sporte të tjera, përfshirë volejbollin, futbollin, mundjen, si dhe ekipet shkollore dhe projektet rajonale sportive. Po ashtu, u nderuan tifozët “Boys of Border” për mbështetjen e vazhdueshme ndaj sportit lokal.

Në fund të ngjarjes, trajneri më i mirë i vitit 2025 u shpall Ziber Xhoni, ndërsa titullin Sportisti më i mirë i vitit 2025 e fitoi Egzon Xhoni.

Komuna e Hanit të Elezit ka shprehur mirënjohje të veçantë për të gjitha klubet sportive që veprojnë në komunë, duke theksuar se puna e tyre e palodhur kontribuon në edukimin e brezave të rinj dhe në ndërtimin e një komuniteti më të shëndetshëm dhe më të fortë./Gazeta 10

Komento: