Hapat e (pa)duhur të Kurtit

12:26 | 18 Janar 2020

Pas zvarritjeve të stërzgjatura të Mustafës, herë me një kërkesë, herë me një tjetër dhe herë me një kushtëzim, herë me një tjetër, për koalicionin LVV-LDK, – Kurti e ka bërë veprimin e duhur, kur ka shkuar në mbledhjen e Kuvendit, pa marrëveshje me LDK-në për koalicion dhe pa lejen e Mustafës. Kështu, ai e ka bërë hapin e parë, të duhur, – KONSTITUIMIN e Kuvendit të Kosovës, të dalë nga Zgjedhjet 2019.

Nëse dështon marrëveshja me LDK-në (e cila, siç po duket, është më e interesuar dhe po angazhohet më shumë për pengimin e formimit të qeverisë Kurti, se sa për arritjen e marrëveshjes për koalicionin LVV-LDK), Kurti duhet të vazhdojë kështu, VETËM ose me PARTNERË TË TJERË, hapat e radhës për formimin e qeverisë së tij. E, nëse eventualisht pengohet formimi i qeverisë së tij, siç edhe mund të pritet, Kurti duhet t’i kthehet një “koalicioni” të gjerë me qytetarët, në zgjedhjet e radhës.
***
Pas shpalljes zyrtare të rezultatit përfundimtar të Zgjedhjeve 2019, Kurti do të duhej të vepronte, e para, në përputhje me REZULTATIN e zgjedhjeve. Kjo do të thotë që, qysh në fillim të negociatave, ai do të duhej t’ia bënte të qartë partnerit të koalicionit, se pozita e kryeministrit është e GARANTUAR me VOTAT E QYTETARËVE dhe ajo, prandaj, është e panegociueshme me partnerin e koalicionit dhe s’mund të hyjë në asnjë kombinim për ndarjen e posteve ministrore.

Kështu, me kohë, Kurti do t’i rrëzonte pretendimet e stërpërsëritura, tash tre muaj, të Mustafës, kinse LDK-ja ia paska “dhënë” LVV-së pozitën e kryeministrit dhe, për kompenzim, LDK-së duhet t’i jepen pozita të tjera ministrore, pozita e kryetarit të Kuvendit e deri edhe “zotimi” për pozitën e kryetarit të vendit, si barazpeshë me pozitën e kryeministrit(!).

E dyta, qëndrimin e tij të fillimit, me argumente të arsyeshme, të stërpërsëritura, për mospërfshirjen e pozitës së kryetarit të Kosovës, në negociatat për ndarjen e “përgjegjësive” (term i butë i përdorur në vend të termit adekuat – ndarje e pushtetit), Kurti do të duhej ta mbante deri në përfundimin e negociatave, pavarësisht nga rezultati i tyre;

E treta, pas veçimit të pozitës së kryeministrit dhe të pozitës së kryetarit të vendit, pra, pas mospërfshirjes së këtyre dy pozitave në negociatat për koalicion me LDK-në, Kurti, si FITUES i zgjedhjeve, do të duhej ta fillonte i PARI PËRZGJEDHJEN e një ministrie, sipas parimit – një pozitë njëri, një pozitë tjetri, dhe, pas tij, Mustafa, – HUMBËSI i tyre, do të duhej ta zgjedhte ministrinë tjetër.

E katërta, Kurti do të duhej t’u përmbahej të gjitha parimeve të tij, tashmë të njohura për opinionin e gjerë, dhe të gjitha premtimeve (para)zgjedhore, me të cilat është dalluar, gjatë viteve, prej liderëve të partive të tjera politike. Pra, edhe premtimit të tij për numrin e ministrive në qeverinë e tij.

Gjatë negociatave me Mustafën, për koalicionin LVV-LDK, pavarësisht nga rrjedha, nga kahja dhe nga rezultati i mundshëm i tyre, Kurti do të duhej të mbante qëndrim të DINJITETSHËM, normal e të natyrshëm, si FITUES, kundrejt HUMBËSIT. Ish-rebelit, ish-kryengritësit, nuk i shkon qëndrimi SERVIL, as para partnerit për koalicion.

Komento: