Hape derën, çele zemrën! Bëhu familje strehuese!

16:01 | 22 Maj 2024

STREHIMI FAMILJAR – FORMA MË E MIRË E MBROJTJES SË FËMIJËVE PA KUJDES PRINDOR

A dëshironi të ndihmoni një fëmijë që ka humbur kujdesin prindëror?

Nëse po, ju mund të bëheni familje strehuese dhe të strehoni një fëmijë në familjen tuaj përkohësisht derisa ky fëmijë të jetë në gjendje të kthehet prapë tek prindërit, familja e vet apo të vendoset në adoptim.

Si mund të bëheni familje strehuese?

Për t’u bërë familje strehuese ju duhet të shkoni në Qendrën për Punë Sociale në komunën tuaj, për të marr më shumë informata rreth kushteve të cilat duhet t’i plotësoni për t’u bërë familje strehuese.

Disa prej kushteve themelore që duhet plotësuar janë:

Të jeni mbi moshën 25 vjeqare dhe të keni zotësi veprimi;

Të keni shëndet të mirë psiko-fizik;

Të keni të kryer së paku arsimimin e mesëm shkollor;

Të keni pëlqimin e të gjithë anëtarëve të familjes tuaj për të ofruar strehim familjar;

Të dëshmoni se keni vendbanim të mjaftueshëm për të marr fëmijë në përkujdesje;

Të mos jeni të ndjekur penalisht.

Cilët fëmijë vendosen në strehim familjar?

Në strehim familjar vendosen përkohësisht femijët pa kujdes prindëror siç janë: foshnjet e braktisura menjëherë pas lindjes, fëmijë me aftësi të kufizuar, fëmijë të keqtrajtuar apo të lënë pas dore nga prindërit apo kujdestarët e tyre, fëmijë të prindërve qe u është marr e drejta prindërore, fëmijë, prindërit e të cilëve janë të paaftë të kujdesen për fëmijët e tyre për një kohë të caktuar.

Përkrahje për ju!

Nëse ju do përzgjedheni nga Qendra për Punë Sociale (QPS) si familje strehuese, ateherë ju do të përkraheni nga zyrtarët e QPS-së, të cilët do të ju ndihmojnë në përkujdesjen e fëmijës gjatë qëndrimit në familjen tuaj, duke ju vizituar rregullisht dhe ofruar këshilla, trajnime dhe mbështetje të nevojshme. Për të ju lehtësuar kujdesin ndaj fëmijës, ju do merrni një mbështetje financiare mujore për të mbuluar shpenzimet dhe nevojat e femijës. Poashtu, ju do të mbështeteni vazhdimisht edhe nga Organizatat që ofrojnë shërbime psiko-sociale për të siguruar mirëqenien tuaj si familje strehuese dhe të fëmijëve që vendosen në strehim familjar tek ju.

PSE STREHIMI FAMILJAR?

Strehimi familjar është më shumë se një vend ku fëmijët gjejnë shtëpi; është një ambient i cili ofron dashuri, mbështetje dhe stabilitet për ata që janë të privuar nga këto nevoja themelore.

Një aspekt i rëndësishëm i strehimit familjar është përkujdesja individuale që ofrohet. Mbështetja familjare, kujdesi dhe përkushtimi i familjes strehuese ofron ambient të ngrohtë dhe inkurajues për fëmijët. Kjo i jep fëmijës një ndjenjë të sigurisë dhe afërsisë, duke e ndihmuar atë të zhvillojë besimin në vetvete dhe të tjerët.

Duke ofruar një ambient të dashurisë, mbështetjes dhe sigurisë, strehimi familjar jep shpresë dhe mundësi për një të ardhme më të ndritshme për fëmijët në nevojë.

Rreth OFAP

“Organizata për Fëmijët pa Kujdes Prindëror- OFAP” është organizatë nacionale, me qëllim të mbrojtjes së fëmijëve pa kujdes prindëror në Kosovë. Misioni i organizatës është që çdo fëmije të braktisur dhe pa kujdes prindëror t’i ofrohet një familje e përkohshme që të jetoj, të rritet dhe të ndjehet pjesë e saj dhe të ketë dashurinë që i nevojitet.

Organizata OFAP ofron shërbime psikosociale për të gjitha familjet strehuese dhe fëmijët e vendosur në strehim familjar në Kosovë.

Strehimi Familjar është forma më e mirë e mbrojtjes së fëmijëve, dhe ajo çfarë ju mund të ofroni është shumë e vlefshme.

Hape derën, çele zemrën!

Bëhu familje strehuese!

Për më shumë informata se si mund të bëheni familje strehuese ju lutem vizitoni Qendrën për Punë Sociale në komunën tuaj ose kontaktoni këtë numër telefoni 038 613 888, prej orës 9.00 – 16.00 çdo ditë pune.

Komento: