Hapet unaza e brendshme e Prishtinës, premtohet lehtësim i trafikut

00:00 | 18 Maj 2026

Është përuruar unaza e brendshme e kryeqytetit, një prej projekteve që synon lehtësimin e qarkullimit dhe përmirësimin e lëvizjes në kryeqytet.

Ceremonia e hapjes u mbajt në fund të rrugës “Nora e Hotit”, në vendlidhjen me Unazën Qendrore, pranë urës në drejtim të rrethrrotullimit.

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, tha se projekti ka qenë një investim madhor për kryeqytetin dhe se realizimi i tij ka kërkuar punë të gjatë.

“Është një projekt madhor për kryeqytetin, që jemi duke punuar kogja një kohë të gjatë. Edhe sot po e përurojmë, po e bëjmë hapjen. Ishim edhe më poshtë, kemi përveç asfaltimit, është edhe ndriçimi, edhe pjesë për këmbësorë. Është një aks kyç për kryeqytetin, pra Unaza e Brendshme, e cila do t’i ndihmojë shumë edhe trafikut në kryeqytet. Është një prej projekteve madhore. Tash edhe do të bëjmë pak një ndryshim të lëvizjes të trafikut si rezultat edhe i këtij projekti të madh, i cili do t’i ndihmojë shumë trafikut në këtë pjesë të kryeqytetit”, tha Rama.

Ai tha se tashmë synim mbetet realizimi i Unazës së madhe të kryeqytetit, projekt që, sipas tij, ka mbetur pezull prej katër vjetësh.

Komento: