Hapja e kasafortës së sigurisë në Zyrën e Presidencës, Shefi i AKI-së këtë ditë para komisionit

20:43 | 07 December 2020

Hapja e kasafortës në Zyrën e Presidentit, Shefi i AKI-së të martën para komisionit.

Hapet kasaforta e sigurisë në Zyrën e Presidencës, rasti tashmë po hetohet nga organet e rendit.

Me të marrë detyrën ktheu flamurin dardan në institucionin më të lartë shtetëror.

Por, në ditët e para të saj si U.D. e Presidentit, në Zyrë të Vjosa Osmanit ndodhi edhe diçka tjetër.

Me ndihmën e IT së Presidencës këtu po dyshohet se u hap kasaforta ku ruhen dokumente të klasifikuara.

Një veprim i tillë dyshohet se u krye nga zyrtar të Agjencisë së Inteligjencës.

Por, ndonëse AKI nuk ka kthyer përgjigje, këtë rast e kanë konfirmuar nga Presidenca.

Madje, këtë rast e kanë denoncuar në polici.

Televizioni ka kërkuar sqarime edhe nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, por edhe këta kanë qëndruar të heshtur.

Ndërkohë, T7 është interesuar edhe nëse ky rast është duke u trajtuar nga Prokuroria Speciale.

Por, kreu i këtij institucioni në një bisedë të shkurtër telefonike as nuk e ka pohuar as mohuar një gjë të tillë.

Ndërkohë, me ketë temë tani po merren edhe Komisioni për Mbikëqyrjen e AKI-së.

Madje anëtari i këtij mekanizmi të Kuvendit, Arbër Rexhaj që vije nga radhët e LVV-së, menjëherë ka bërë kërkesë për takim me Kreshnik Gashin, që drejton Agjencinë e Inteligjencës.

Jo zyrtarisht T7 merr vesh se ky takim pritet të mbahet të martën.

Si çështje problematike këtë situatë po e shohin edhe juristët.

Avokati Skender Musa, tregon se çfarë sanksionesh parashihen në rastet kur shkelen ligjet dhe rregulloret që kanë të bëjnë me ruajtjen e dokumenteve sekrete.

Vjosa Osmani detyrën e Presidentit e morri me 5 nëntor 2020, në ditën kur ish presidenti Hashim Thaçi dha dorëheqje dhe u nis për në Hagë.

Komento: