
Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka thënë se Amerika duhet t’i prijë dialogut Kosovë-Serbi.
Ai ka thënë se Bashkimi Evropian nuk po tregohet i aftë në këtë proces. Sipas tij, ata nuk e kanë në plan ta ngutin integrimin e Kosovës në BE.
“Unë mendoj që BE-ja nuk po tregohet e aftë për dialogun Kosovë Serbi. Ata janë tepër të ngadalshëm, nuk iu ngutet. Ata nuk e kanë në plan me e ngut integrimin tonë në BE. Amerikanët e konsiderojnë ndryshe, ata e kanë hallin te krijimi i sigurisë që me u marrë me tema të botës. Me Amerikën mund të vijmë te një vendim që kishim pas me ardh pas 10 vitesh me BE-në”, ka thënë ai.
Haradinaj thotë se askush nuk e ka obligim t’i jap diçka Serbisë në këmbim të njohjes reciproke. Sipas tij, njohja nga Kosova ka shumë rëndësi për ta.
Ai tutje ka shtuar se ka kaluar rreziku për shkëmbim të territoreve. Ai thotë se lëvizja e kufijve nuk është më opsion.
“Nuk besoj që lëvizja e kufijve është opsion. Rreziku është te Dodik Republika. Unë jam kundër Dodik Republikës por nuk duhet ta frikësojmë vetën me të. Për me heq këtë frikë ne duhet të themi që Kosova është për njohje reciproke brenda kufijve ekzistues”, ka thënë ai.
Haradinaj tutje ka potencuar se me partnerin e koalicionit, LDK-në, janë marrë vesh sa i përket demarkacionit.
“Sa i përket demarkacionit, jemi ra dakord me implementu obligimin që e kemi marrë nga Kuvendi. Në obligim është edhe raporti i komisionit shtetror. LDK e ka pranuar dhe janë dakord. Partnerët janë në dijeni për korrigjim në drejtim të Kullës dhe Çakorrit. Ju shpjegojnë vet, edhe ata kanë njohuri paraprake për opsionet që me ardh deri te korrigjimi i marrëveshjes në dy drejtime. Kufiri ekziston dhe ne e korrigjojmë marrëveshjen, gjithashtu kemi rëndë në dakord për asociacionin brenda Kushtetutës së vendit”, ka thënë ai.